​Edhe Kosova rrezikon të preket nga fruthi, bëhet thirrje për vaksinim të fëmijëve
Shëndetësi
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Përkundër që në Kosovë ende nuk ka asnjë rast të prekur dhe as të dyshuar me sëmundjen e fruthit, ekziston rreziku që fëmijët të preken nga kjo sëmundje ngjitëse, pasi që kundër sëmundjes së fruthit me dozën e parë, janë të vaksinuar 87% e fëmijëve, dhe me dozën e dytë 95%, e përqindja e të pa vaksinuarve po konsiderohet rrezik për shpërthimin e kësaj sëmundje të fëmijëve, meqenëse tashmë raste aktive ka në rajon dhe Evropë.

Kështu ka deklaruar për KosovaPress, shefja e vaksinimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Fetije Fetaj, e cila theksoi se arsyet e shpërthimit të fruthit në botë lidhet me rënien e nivelit të vaksinimit për të gjitha llojet e vaksinave në vitet e fundit për shkak të pandemisë COVID-19.

Ajo thotë se përkundër që Kosova ka një shkallë relativisht të mirë të vaksinimit kundër fruthit, por që kjo shkallë duhet të jetë mbi 95% me të dy dozat.

Sipas saj, në Kosovë që nga janari i vitit 2019 nuk ka pas më asnjë rast të prekur me fruth, derisa shton se tani ka nisur një aksion për identifikimin e fëmijëve dhe vaksinimin e atyre që nuk janë të vaksinuar.

“Në vitin 2017-2018 kemi pas raste të fruthit diku kanë qenë 745 raste të konfirmuara me fruth, nga janari i vitit 2019 nuk është regjistruar asnjë rast i fruthit edhe sot e kësaj dite ne nuk kemi raste të konfirmuara as të dyshimta me fruth, por si vend e kemi parë që jemi të rrezikuar dhe kemi filluar me i marrë hapat”, u shpreh Fetaj.

Doktoresha Fetaj ka njoftuar se Kosova ka stabilitet të qëndrueshëm në furnizimin me vaksinën kundër fruthi dhe është e qasshme për të gjithë fëmijët.

Ajo thotë se vaksina kundër kësaj sëmundjeje të fëmijëve është shumë efektive, prandaj bën thirrje te të gjithë prindërit që sa më shpejt t’i imunizojnë fëmijët me këto vaksina.

Doza e parë e kësaj vaksine jepet pas 12 muajve të jetës, ndërsa ajo e dyta në moshën 6 vjeçare.

Por, me këtë vaksinë mund të vaksinohen edhe fëmijët e tjerë pavarësisht moshës.

Sipas shefes së imunizimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, edhe Kosova për shkak të COVID-19, ka një rënie prej 5 deri në 10% të vaksinimit me vaksinat e tjera.

Ajo thotë se në këtë rënie kanë ndikuar frika e prindërve për t’i dërguar fëmijët në qendrat e vaksinimit për t’u imunizuar.

Javë më parë IKSHPK bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë kanë bërë thirrje prindërve që të respektojnë kalendarin e vaksinimit për t’i vaksinuar fëmijët e tyre kundër fruthit.

Shefja e vaksinimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Fetije Fetaj ka theksuar se në bashkëpunim me UNICEF dhe OBSH-në, kanë arritur të imunizojnë me vaksinën kundër fruthit edhe fëmijët e grupeve të margjinalizuara në Kosovë.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për rritjen e paraqitjes së rasteve të fruthit në botë./B.Ibishi/ 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024