​Begaj: Krenarë që jemi pjesë e NATO-s
Lajme
Lexohet për: 2 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Më 1 prill të vitit 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut - NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.

Në këtë 14-vjetor, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se janë krenarë që janë pjesë e Aleancës më të fuqishme dhe më të sukesshëm në botë.

“14 vjet Shqipëria në NATO! Krenarë që jemi pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë! Krenarë që jemi kontribues për paqen dhe sigurinë!”, shkroi ai në Facebook.

Paraqitja e parë e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s u bë në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Pas anëtarësimit në NATO, përpjekjet e Shqipërisë u fokusuan në transformimin e forcave të armatosura në një forcë me përmasa më të vogla, tërësisht profesioniste, e aftë për t’u dislokuar dhe e ndërveprueshme me NATO-n. Ky integrim dhe modernizimi i Forcave të Armatosura është shoqëruar me angazhimin për reduktimin e depove të municioneve, si dhe shkatërrimin e një sasie të madhe municionesh.

Gjithashtu, Shqipëria zgjeroi kontributin e saj në operacionet e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Afganistan, si në ISAF dhe Misionin Resolute Support, pas vitit 2014. Gjatë kësaj periudhe, me qindra ushtarakë shqiptarë shërbyen me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë dhe sakrifica në disa prej komandave rajonale të ISAF-it, duke përmbushur më së miri detyrat e ngarkuara nga komanda e ISAF-it.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka rritur kontributin e saj në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në vendin tonë. Shqipëria i ka kushtuar dhe kushton vëmendje të veçantë mbështetjes së bashkëpunimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe procesit politiko-ushtarak të ridimensionimit të rolit të KFOR-it në Kosovë. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024