​Bashkim Nurboja emërohet u.d. i guvernatorit të BQK-së
Biznes
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryetari i bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bashkim Nurboja është emëruar ushtrues detyre i guvernatorit të BQK-së. Vendimi është marrë sot (e mërkurë) në mbledhjen e këtij bordi të cilën e ka udhëhequr vetë Nurboja.

Ky vendim është marrë pas skadimit të mandatit të guvernatorit të Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti.

Bordi i BQK-së arsyetoi vendimin me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së përmbushjes së objektivave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës siç është përcaktuar me ligj.

Po ashtu, edhe dy anëtarët joekzekutivë të këtij bordi janë emëruar zëvendësguvernatorë.

“Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara si rezultat i skadimit të mandatit të guvernatorit të Bankës Qendrore, si dhe në mungesë të zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë, për shkak të skadimit të mandatit, bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, në pajtim me nenin 46 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mori vendim që posti i Guvernatorit të merret përkohësisht nga kryetari i bordit të Bankës Qendrore, ndërsa dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore, do të marrin përkohësisht postet e zëvendësguvernatorëve”, thuhet në komunikatën e bordit.

Aktualisht, lista me 4 kandidatë për pozitën e guvernatorit është në shqyrtim në Komisionin për Buxhet.

Në mbledhjen e fundit të këtij komisioni të mbajtur të martën, pas një diskutimi të gjerë lidhur me listën e kandidatëve, nuk u arrit të ketë vendimmarrje lidhur rekomandimin e BQK-së që komisioni t’ia propozojë Kuvendit votimin e një kandidati për guvernator, e as nuk u arrit të ketë vendimmarrje për rekomandimin e komisionit që kryetari i Kuvendit ta njoftojë institucionin përkatës, për mospërmbushje të të gjitha kushteve për përzgjedhjen e listës së kandidatëve sipas ligjit, duke e kthyer procesin në fazat fillestare të tij.

Në këtë mbledhje ishte vetë Nurboja që iu përgjigj shqetësimeve të deputetëve në lidhje me procesin e përzgjedhjes së katër kandidatëve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024