​24 vjet nga spastrimi etnik i Prishtinës, Musliu: Serbia bëri më keq se Wagneri
Lajme
Lexohet për: 3 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Në 24-vjetorin e spastrimit etnik të Prishtinës nga aparati gjenocidal i Serbisë, eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka kujtuar dëbimin, torturat dhe vrasjet ndaj shqiptarëve.

Musliu përmes një statusi në Facebook ka thënë se forcat paramilitare serbe torturuan shqiptarët në mënyrën më barbare. Përdorimi i armëve të ftohta si thika, çekanë, sharra e sëpata, sipas tij, dëshmon se aparati gjenocidal serb ishte më i keq sesa grupi paramilitar rus Wagner.

Postimi i plotë i Musliut:

Nata në mes 31 marsit dhe 1 prillit të vitit 1999, i kishte mbledhur mbi 15.000 banorë të Prishtinës në stacionin e trenit. Prishtina po spastrohej etnikisht nga forcat militare e paramilitare te Serbisë.

Shumica e banorëve të kryeqytetit po deportoheshin në pikën kufitare me Maqedoninë - në Bllacë. Aty për disa ditë me radhë do të krijohej katastrofa më e madhe humanitare në Evropë. Në qiell të hapur, net të ftohta e me shi. Pa bukë, pa ujë dhe pa mjekë.

Pak media ndërkombëtare kishin mundur që ta evidentonin dhunën e fillim prillit në Prishtinë. Të dhënat i merrnin vetëm nga shqiptarët e dëbuar në Maqedoni dhe Shqipëri.

Gjersa treni bartte qindra-mijëra shqiptarë, kamionë të tjerë bartnin prishtinasit në kufirin me Shqipërinë në Morinë.

Nëpër binarët e hekurudhës Prishtinë - Han i Elezit do të deportoheshin mbi 150.000 banorë jo vetëm të Prishtinës, por të të gjithë Kosovës.

Sipas të dhënave jo zyrtare, sepse ishte e pamundur të kishte të dhëna të tilla në ato rrethana, vetëm në stacionin e trenit në Prishtinë, në natën mes 31 marsit e 1 prillit, lindën mbi 8 foshnje dhe vdiqën 5 persona.

Aparati gjenocidal serb përveç dëbimit të dhunshëm, në stacionet e policisë dhe nëpër disa ndërtesa të tjera publike të okupuara, kishte vrare e torturuar mbi 300 shqiptarë. U përdorën mjete të ftohta torture (thika, sëpata, sharra e çekanë). Më keq se grupi famëkeq paramilitar rus që sot njihet me emrin Wagner.

Pas 10 prillit 1999, në Prishtinë ngelën vetëm 10 % e shqiptarëve. Në disa lagje etnike shqiptare të Prishtinës, Serbia, me qëllim, nuk i kishte dëbuar vetëm disa pleq. Më vonë atyre, dhe pak familjeve që kishin mbetur në Prishtinë, aparati i dhunshëm ushtarako-politik serb, i pajisi me disa dokumente, duke provuar që ta falsifikojë një regjistrim popullsie. E tëra ishte gjenocid.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024