​Zgjedhjet bullgare, votohet edhe në Shqipëri

​Zgjedhjet bullgare, votohet edhe në Shqipëri

Bullgarët brenda dhe jashtë vendit janë duke shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar dhe zgjedhur ligjvënësit e rinj. Brenda vendit janë hapur 11845 qendra votimi ndërsa jashtë territorit të shtetit bullgar janë 775 qendra votimi në 62 vende të ndryshme.

Një nga këto vendet është edhe Shqipëria në të cilën po mbahet votimi. Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka thënë se në Shqipëri procesi ka nisur në ora 07:00 dhe po vijon normalisht.

Bullarët me të drejtë vote që jetojnë në Shqipëri mund të votojnë në pesë qendra votimi. Një në Tiranë në ambientet e Ambasadës së Bullgarisë, një qendër tjetër është hapur në Elbasan, pastaj në Korçë, në Durrës dhe në Kukës.

Të drejtë vote në Shqipëri kanë rreth 250 qytetarë me shtetësi bullgare.


Shteti shqiptar i njeh bullgarët si pakicë në bazë të një ligji që ishte miratuar në vitin 2017.

Duke përjashtuar disa tone më të ashpra e pakënaqësie vitin e fundit të Shqipërisë ndaj Bullgarisë për shkak se kjo e fundit përdori veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe nuk lejonte hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasojat e të cilës i vuante edhe Shqipëria që ishte në një pako me Maqedoninë e Veriut, shteti bullgar dhe ai shqiptar kanë pasur raporte shumë të mira.

Ndryshe, më së shumti qendra votimi jashtë territorit bullgar janë në Turqi (166), e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar (126), Gjermania (77), Spanja (65), SHBA (55), Italia (26), Greqia (24), Holanda (23), Franca (16), dhe Austria dhe Belgjika (15 secila).

Bullgaria po zhvillon sot zgjedhjet e saj të katërta parlamentare në 18 muaj.

Lexo edhe

Video