​Zenun Elezaj shpallet fajtor, kryetari i Klinës dënohet për konflikt interesi

​Zenun Elezaj shpallet fajtor, kryetari i Klinës dënohet për konflikt interesi

Gjykata Themelore në Pejë shpalli fajtor kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj, për konflikt të interesit duke e dënuar me 4 mijë euro pasi i mundësoi vajzës së tij që të punësohet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë.

Trupi gjykues konstatoi se Elezaj, si kryetar i Klinës, ka qenë në dijeni se vajza e tij ka për të aplikuar në pozitën mjeke e praksës së përgjithshme në QKMF, ka marrë pjesë personalisht në çështjen zyrtare – administrative duke marrë vendim me të cilin ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies së punës bazuar në konkursin e publikuar me datë 02.02.2018, për pozitën “Mjek i praksës së përgjithshme”, në atë mënyrë që komisioni në fjalë, e ka përzgjedh vajzën e të pandehurit si më të suksesshmen duke e punësuar te njëjtën si mjeke të praksës së përgjithshme në Qendrën e Mjekësisë Familjare.

Me këto veprime i pandehuri Zenun Elezaj ka kryer vepër penale konflikt interesi nga neni 422 par.1 të KPRK-së


Të pandehurit gjykata i shqiptoi dënimin me gjobë në shumë prej 4 mijë euro, të cilin dënim obligohet ta paguajë në afat prej gjashtë muajsh, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Nëse i pandehuri, dënimin me gjobë nuk e paguan brenda afatit të caktuar atëherë, të njëjtit dënimi me gjobë do t’i shndërrohet në dënim me burg duke ju llogaritur një ditë burgu për çdo 20 euro të gjobës.

I pandehuri është i obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 100 euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin për viktimat e krimit shumën prej 50 euro, e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Gjykata ka vlerësuar propozimin e prokurorisë për shqiptimin e dënimit plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve. Prandaj gjykata, bazuar në veprën penale që i vihet në barrë dhe dënimin e shqiptuar të pandehurit, faktin se vajza e tij tanimë nuk punon në atë pozitë dhe nuk ka arsye se mund të pritet përsëritja e veprës, nuk ka shqiptuar dënimin plotësues të propozuar.

Lexo edhe

Video

error: