​Zekiri: Vështirë të bindet Zaev për ta rimenduar dorëheqjen

Nënkryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Muhamed Zekiri, deklaroi se pavarësisht kundërshtimeve të partnerëve të koalicionit, Zoran Zaev vështirë se do ta rimendojë dorëheqjen nga pozita e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

Ai thotë se pritet që brenda disa ditësh të qartësohen të gjitha gjërat dhe të bëhet dorëzimi në Kuvend i dorëheqjes së Zaev nga posti i të parit të qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Zekiri thotë se përveç nga partnerët e koalicionit ka edhe miq ndërkombëtarë që tentojnë ta bindin Zoran Zaev që të heq dorë nga dorëheqja nga posti i të parit të qeverisë, por që thotë se ai është i zhgënjyer nga rezultati i zgjedhjeve lokale dhe nga procesi i hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.

“Nuk janë vetëm partnerët e koalicionit, ka edhe shumë miq ndërkombëtarë që tentojnë ta bindin z.Zaev të reflektojë. Mirëpo, do të jetë e vështirë që të bindet pasi që dëshpërimi i tij nga rezultati zgjedhor, por edhe nga zhgënjimi sa i përket procesit të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian disa vite me radhë, duke plotësuar Maqedonia të gjitha kushtet, duke bërë ndryshimin e emrit, pastaj paraqitet Bullgaria si pengesë dhe atë që Bashkimi Evropian nuk reflektoi për të parë të gjitha ato vendime të guximshme që i mori Zaev në politikat e jashtme kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë tek personaliteti i tij dhe vështirë do të jetë që dikush ta bind edhe pse kërkesat janë të gjithanshme, si brenda subjektit tonë ashtu edhe nga partnerët e koalicionit”, thotë Zekiri.

Zaev ende nuk e ka dorëzuar në Kuvend dorëheqjen nga posti i kryeministrit, e që këtë Zekiri thotë se pritet ta bëjë brenda disa ditësh.

Duke qenë se partnerët e koalicionit qeverisës konfirmuan se mbeten pjesë e shumicës parlamentare, nënkryetari i LSDM-së thotë se nëse do të ketë një propozim për postin e kryeministrit do të jetë një emër i ri.

“Afat kohor nuk ka, mirëpo kjo nuk mund të stërzgjatet. Sigurisht brenda disa ditësh do të qartësohen gjërat këtu tek ne dhe do të dihet përfundimisht kur e dorëzon dorëheqjen ose heq dorë nga dorëheqja prej kryeministrit. Por, më e sigurta është se si duket do ta dorëzojë dorëheqjen z.Zaev në Parlament, mirëpo duhet të presim edhe pak ditë pasi që vazhdojnë konsultimet individuale tani më me partitë që janë partnerë të koalicionit qeveritar të cilët konfirmuan se mbeten pjesë të shumicës parlamentare… Nëse dorëzohet kërkesa për dorëheqje në Parlament gjithsesi që do të ketë emër të ri për postin e kryeministrit dhe nuk do të jetë ai z.Zaev”, thotë ai.

Zekiri shprehet se nuk preferojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, sidomos në këtë kohë kur, sipas tij, vendi do të përballet me sfida të shumta.


“Absolutisht jo vetëm ne, por asnjë nga subjektet politike përfshirë këtu edhe të opozitës nuk janë për zgjedhje të parakohshme për vendin pasi që na pret një periudhë me sfida të shumta për vendin, duke përfshirë këtu edhe krizën energjetike, përfshirë atë që jemi duke pritur deri në fund të vitit për të përmbyllur procesin me Bullgarinë, në negociata për të filluar përfundimisht ndoshta bisedat për anëtarësim të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, kriza ekonomike, gjendjen e jashtëzakonshme me virusin COVID-19. Gjithë këto janë çështje të rënda që e presin edhe Maqedoninë si shtet po edhe qytetarët e saj. Kështu që, zgjedhje të parakohshme nuk do të ishin për të mirën e qytetarëve dhe të askujt në këtë moment”, shprehet ai.

Sa i përket mundësisë që të implementohet tani marrëveshja mes LSDM-së dhe BDI-së që të ketë një kryeministër shqiptar, Zekiri u shpreh se ajo marrëveshje nuk ka të bëjë me këtë periudhë në të cilën gjendet vendi.

“Ajo marrëveshje ka të bëjë me 100 ditët e fundit të qeverisë, nuk ka të bëje me këtë periudhë. Zgjedhjet e rregullta parlamentare janë në vitin 2024, kështu që LSDM i qëndron asaj marrëveshje që e ka bërë me BDI dhe në ato 100 ditë sigurisht që do të ketë kryeministër shqiptar… Nëse ndodh ajo do të thotë që vetëm 100 ditë do të vazhdojë qeveria. Ideja është që shumica parlamentare të vazhdojë dhe të presim zgjedhjet e rregullta në vitin 2024. Shumica parlamentare për momentin është stabile dhe nuk ka nevojë për shqetësim”, thotë Zekiri.

Nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri, tregon arsyet e rezultatit të dobët në zgjedhjet lokale që detyruan Zoran Zaev të ofrojë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Maqedonisë dhe nga pozita e kryetarit të partisë.

“Ka shumë arsye në këtë drejtim, e para një pjesë e partnerëve të koalicionit tradicional që kishim lejuam që të garojnë në këto zgjedhje lokale vet, ata arritën të shkëputin një numër të konsiderueshëm të votave diku deri në 50 mijë vota, ndërkaq dallimi me oponentët politikë ishte diku 40 mijë vota nëse i shohim listat e këshilltarëve. E dyta, si arsye është se në tri komuna të LSDM u fituan nga ish-kandidatët e saj të cilët garuan si të pavarur. E treta, në këto zgjedhje lokale nuk dominuan temat lokale, por ndikimi më i madh ka qenë i politikave të ekzekutivit në përgjithësi, posaçërisht në pjesën e elektoratit maqedonas sa i përket politikave të jashtme të udhëhequra nga kryeministri Zaev duke përfshirë këtu ndryshimin e emrit me Greqinë, duke përfshirë kontestin me Bullgarinë dhe bisedimet që janë duke u zhvilluar për të mbyllur këtë çështje, e gjithë kjo ka ndikuar negativisht tek pjesa maqedonase e popullatës këtu tek ne”, thotë ai.

Nënkryetari i LSDM-së ka folur edhe për takimin në kuadër të “Open Ballkan” që po mbahet sot në Beograd, e që Maqedonia e Veriut po përfaqësohet nga zëvendëskryeministri Nikola Dimitrov.

Nëse kjo nismë do të rrezikohet pas dorëheqjes së Zeav nga pozita e kryeministrit, Zekiri thotë se këtë do ta tregojë koha.

“Në vend të kryeministrit Zaev atje ka udhëtuar zëvendëskryeministri Nikola Dimitrov, përfaqëson Maqedoninë sot në Beograd. Kjo nismë ka qenë si iniciativë e tre krerëve të këtyre shteteve, sa do të rrezikohet do të tregojë koha, por të gjithë e dinë çfarë do të thotë largimi i z.Zaev nga posti i kryeministrit. Prandaj janë edhe reagimet e tilla që vijnë si nga rajoni ashtu edhe nga perëndimi”, potencoi ai.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, VMRO DPMNE-aj ka fituar 41 komuna nga 80 sa ka gjithsej Maqedonia e Veriut, dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit lokal. LSDM-ja ka fituar 16 komuna, BDI-ja dhjetë komuna, Lëvizja BESA dy komuna, Aleanca për Shqiptarët gjithashtu dy komuna, ndërsa partitë e tjera nga një komunë.

Lexo edhe

Video