​Xavi: Reali është në formë, por kjo nuk do të thotë asgjë për ne

​Xavi: Reali është në formë, por kjo nuk do të thotë asgjë për ne

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, mendon se Real Madridi është skuadra më në formë në Spanjë përpara takimit të tyre gjysmëfinal të Superkupës së Spanjës të mërkurën.

Për dallim nga “Katalanasit” që po kalojnë nëpër një formë katastrofale te rezultateve, “Los Blancos” po fluturojnë në La Liga dhe trajneri i emëruar së fundmi ndjen se skuadra e tij përballet me një sfidë të vështirë në Riad.

“Unë shoh një skuadër të Barcelonës në ndërtim dhe një skuadër e Real Madridit në një formë shumë të mirë, por kjo nuk do të thotë asgjë”, tha ai në konferencën e tij për shtyp.

“Ne jemi përballur me ta në të gjitha situatat. Nuk do të jetë e lehtë të imponojmë lojën tonë sepse ata janë skuadra më në formë në Spanjë”, shtoi spanjolli.


“Unë shoh gjëra të mira në ekipin tim. Duhet të jemi autokritikë, po, por unë shoh gjëra të mira. Në aspekte të tjera jemi mirë. Duhet të vazhdojmë ndërtimin e këtij projekti. Nesër është një test i mirë për të ditur se ku jemi”, vazhdoi Xavi.

“Lojtarët si Pedri, Ferran Torres dhe Ronald Araujo janë të rëndësishëm për ekipin dhe unë jam i lumtur që i kam në dispozicion ata”.

Xavi mendon se një fitore ndaj rivalëve të tyre mund të nënkuptojë kthesën për skuadrën e tij.

“Mund të jetë një pikë kthese. Hyrja në një finale dhe më pas fitimi i një titulli do t’i jepte besueshmëri të jashtëzakonshme projektit tonë,” tha ai.

“Do të ishte e rëndësishme të fitonim gjysmëfinalen. Nuk do të na jepte titullin, sepse do të kishte ende një finale për të luajtur, por do të ishte shumë e rëndësishme për ne.”, tha në fund legjenda e Barcelonës.

Lexo edhe

Video