Për të rinjtë kosovarë që duan të studiojnë shkencat mjekësore dhe ato teknologjike, tashmë është hapur edhe një dritare e re studimi në Shqipëri. “Western Balkans University” (WBU) është universiteti i cili mund të realizojë ëndrrën e atyre që duan të bëhen mjekë por edhe inxhinierë në fushat e tjera teknologjike.
Kriteret për t’u regjistruar në këtë universitet janë të njëjta me shtetas shqiptarë, ndërsa për studentët e dalluar WBU ofron edhe bursa.
Presidenti i “Western Balkans University”, Ferdinand Gjana u shpreh programet në WBU vijnë si nevojë urgjente e tregut të punës, ndikuar nga largimet e shumta të të rinjve që përfundojnë degët e mjekësisë.
Gjana theksoi se WBU ofron programe që lidhen me shkencën mjekësore dhe teknologjinë dhe ato interdisplinare siç janë inxhiner bio-mjekësor, menaxhimi i kujdesit shëndetësor.
Presidenti i këtij universiteti foli edhe për bashkëpunimin me universitetet prestigjioze botërore.
“Ne kemi pasur që në momentin e parë një lloj strategjie për bashkëpunim me institucione prestigjioze që ndodhen në Evropë, Perëndim, siç është shembulli i bashkëpunimit me ‘Cambridge’ në fushën e mjekësisë ose me ekspertët e universitetit ‘Cambridge’… Kemi pasur bashkëpunime me kompani apo industri në fushën e teknologjisë me të cilët ne po diskutojmë për të ndërtuar dhe iniciuar projekte të mëdha siç është ndërtimi i një parku teknologjik apo themelimi i ‘start-up’ të ndryshme në fushën e teknologjisë, por jo vetëm të cilat do të sjellin një perspektiv edhe për studentët…Kemi disa programe që po synojnë të hynë në vitin 2023 siç është financ-teknologjia apo economics data science e cila në këto momente është në moment të finalizimit të gjithë procedurave me universitetin Cambridge, dhe janë edhe disa programe që janë të lidhura me inteligjencën artificiale apo lidhur me inxhinierinë e softwerit apo programe tjera të ngjashme në fushat e teknologjisë, por edhe shkencave mjekësore”, theksoi Gjana.

Presidenti i “Western Balkans University”, Ferdinand Gjana theksoi edhe mundësitë që ky universitet ofron për studentët jashtë Shqipërisë.
Ai tha se po synojnë që në vitet e ardhshme t’i rrisin kapacitet e tyre deri në 3 mijë studentë.
“Këtë vit kuota që ne kemi planifikuar janë rreth 500 student të cilat do jenë nga Shqipëria, rajoni e të huaj. Viti i parë që ne hapëm në disa programe që ishin akoma një numër i kufizuar patëm çdo program rreth 20 studentë dhe në total kemi marr 160 studentë, por planifikimet në një kohë 3-4 vjeçare janë që universiteti të jetë i konsoliduar me një numër 2500-3000 studentësh….Të rinjtë shqiptar që jetojnë në diasporë të vijnë të studiojnë këtu të vijnë të studion pranë WBU dhe të shikojnë vendin e tyre për një periudhë disa vjeçare dhe më pas sipas mundësive që ato kanë të vazhdojnë karrierën e tyre profesionale. Në këtë aspekt kemi politika të ndryshme duke filluar edhe me bursa të ekselencës apo mundësi të tjera në varësi të mundësive që ndodhen. Një familje që jeton në një vend evropian ndonjëherë mund ta mendoj si të çuditshëm studimin në Tiranë, por që mund tu them me bindje të plotë…se në 2023 universiteti Western Balkans jep një mundësi të mirë e cila është e krahasueshme me mundësitë që janë universitet e mira në Evropë dhe vendet tjera”, u shpreh ai.

Zëvendës-rektorja e WBU, Albana Halili theksoi se gjithë kurrikula e programeve studimore është organizuar në bashkëpunim me universitetin “Cabridge”.
Ajo foli edhe për mundësitë që iu ofrojnë studentëve për praktikë në universitete prestigjioze botërore.
“Po punojmë fortë që të kemi një kurrikul e cila jo vetëm që do të nxjerrim mjekë mjaftë të mirë në fushën e tyre por që në momentin që duan të shkojnë si në Angli apo dhe universitete të tjera të mos problematikën e njohjes së diplomës apo që të kenë mundësi të punësohen direkt atje. Do të sjellim ekspertizën e tyre këtu duke ruajtur patjetër edhe standardet që kemi në Shqipëri dhe rajon… Kemi edhe bashkëpunime edhe me universitete të tjera pasi që ne ofrojmë edhe degë të ndryshme të teknologjisë përsëri në shërbim të fushave mjekësore”, theksoi ajo.

Procesi i regjistrimit në WBU për studentët nga Kosova është i njëjtë sikurse me ata në Shqipëri, kështu thotë përgjegjësja e Zyrës së Regjistrimeve, Rizhana Mançellari.
“Procesi i regjistrimit të studentëve nga Kosova është njësoj si studentët shqiptarë. Studentët aplikojnë nëpërmjet portalit UAlbania dhe gjatë fazave të aplikimit që ndodh gjatë muajit korrik dhe fillim të gushtit bëhet aplikimi i degëve nga sistemi UAlbania. Periudha e regjistrimit është në fillim të muaj gusht dhe zgjat me disa raunde që i bie deri në mes të muajit nëntor”, tha ajo.

Nga Zyra e Pranimeve në WBU, Denada Balani tha se kriteri i vetëm për regjistrim në “Western Balkans University” është ai i notës mesatare 7.
Balani u shpreh për studentët e dalluar WBU ofron nga 10 bursa për secilin program studimi.
“Kriteri i vetëm specifik është mesatarja që është e njëjtë sipas rregullit të ka vendosur ministria e Arsimit që është 7, të njëjtin rregull aplikojmë edhe për nxënësit që na vijnë edhe nga Kosova…të gjitha programet kanë kritere të njëjta përveç mjekësisë së përgjithshme dhe stomatologjisë të cilat do kenë nga një provim i cili do të luaj një rol kyç në pranimin dhe regjistrimin e këtyre nxënësve...ne japim nga 10 bursa për çdo program studimi, 3 bursa me 100%, 3 bursa 75% dhe 4 bursa 50% ku këto bursa ruhen për çdo vit studimi, mjafton studentët të ruajnë një mesatare të caktuar.. Japim bursa institucionale që deri në fund të marsit japim 25% zbritje nga tarifa”, shprehet Balani.