​Vuçiq bojkoton “6 dhjetorin”: Nuk shkoj në Tiranë

​Vuçiq bojkoton “6 dhjetorin”: Nuk shkoj në Tiranë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk do të marrë pjesë në takimin BE – Ballkani Perëndimor, që mbahet në 6 dhjetor në Tiranë. Kjo si rezultat i indinjatës së tij pas emërimit të kryetarit të Partisë Demokratike Progresive me seli në Graçanicë, Nenad Rashiq, në postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës.

Vuçiq para gazetarëve në Beograd ka deklaruar madje se askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë më 6 dhjetor.

Jo vetëm që i kanë shkelur të gjitha normat e marrëveshjes së Brukselit, por edhe të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare dhe nuk e kanë dert sepse kjo është në interesin e një fuqie evropiane. Rashiq, në Kosovë nuk ka besimin e askujt, por ka besimin e kryeministrit Albin Kurti dhe perëndimit dhe në këtë mënyrë mendojnë se mund të frikësojnë serbët”, ka thënë ai për mediat serbe.


Edhe pse ka vazhduar të pretendojë se Serbia është e angazhuar maksimalisht në procesin e dialogut, deklarata e fundit e tij ishte se Kosova është “shenjtëria më e madhe serbe”.

“Më mirë të mos jem sesa t’ua dorëzojë në duar. Dhe nuk do t’ua dorëzojë. Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë me 6 dhjetor”, tha ai, duke përcjellë mllefin ndaj “reagimit të butë të BE-së” për emërimin e Rashiq, që erdhi më pak se një muaj pas dorëheqjes se ish-ministrit Goran Rakiq, i cili vjen nga radhët e Listës Serbe.

Aktualisht në institucionet e Kosovës në veri nuk ka punonjës serbë, ndërsa Lista Serbe mbushi vendet e lëna bosh në Parlamentin e Kosovës me pretendimin që ato të mos mbushen me serbë të bindur ndaj Prishtinës zyrtare.

Më 23 nëntor Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje lidhur me përdorimin e targave të makinave që çoi në uljen e tensioneve në veriun e Kosovës por jo edhe kthimin e punonjësve serbë në institucione.
Kryeministri Albin Kurti tha të mërkurën se largimi i serbëve nga institucionet ishte vendim politik dhe se kthimi i tyre duhet të bëhet në rrugë ligjore.

Lexo edhe

Video