​Votat me asistencë, numër më i ulët në zgjedhjet e fundit lokale

​Votat me asistencë, numër më i ulët në zgjedhjet e fundit lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi publikimin e dokumentit me titull: “Analizë e votave me asistencë në Zgjedhjet Lokale 2021”. Ky dokument është në vijim të analizave të ndryshme që KQZ-ja kryen pas çdo procesi zgjedhor.

Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme është i mundur votimi me asistencë. Kjo do të thotë se votuesi i cili është me aftësi të kufizuar ose i cili nuk është në gjendje të shënojë ose të hedh fletëvotimin ose është analfabet, mund të ndihmohet nga një person tjetër i zgjedhur nga votuesi nëse ai kërkon një ndihmë të tillë. Personi i tillë e ndihmon vetëm një votues, i cili nuk është anëtar i Këshillit të Vendvotimit ose vëzhgues i akredituar.

Dokumenti në fjalë i KQZ-së analizon pikërisht këtë çështje se sa është i shprehur votimi me asistencë në zgjedhjet lokale 2021 dhe bëhet një krahasim me dy proceset zgjedhore: Zgjedhjet lokale 2017 dhe zgjedhjet për kuvend 2019.

Në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 17 tetor 2021, nga 1 milion e 885 mijë e 448 qytetarë me të drejtë vote, brenda Kosovës, kanë votuar në vendvotimet e rregullta dhe me kusht 42.42% e tyre apo 799 mijë e 825 votues. Nga ky numër i përgjithshëm i qytetarëve që kanë votuar, 43 mijë e 602 votues kanë votuar me asistencë apo 5.45%.


Sipas këtyre të dhënave të KQZ-së, ku numër i votimit me asistencë është shumë më i ulët sesa në dy proceset zgjedhore në nivel vendi të mbajtura në vitin 2017 dhe 2019.

Po sipas të dhënave të dokumentit të KQZ-së, në zgjedhjet lokale 2017 përmes asistencës kishin votuar 58 mijë e 584 votues apo 7.22%. Kjo do të thotë se nëse këto të dhëna të vitit 2017 krahasohen me ato të vitit 2021, rezulton se në zgjedhjet lokale 2017 votimi me asistencë ishte më i lartë për 14 mijë e 982 votues. Edhe në zgjedhjet për Kuvend 2019, votimi me asistencë ishte më i shprehur. Në vitin 2019 përmes asistimit kishin votuar 55 mijë e 961 votues (6.76%) apo 12 mijë e 359 votues më shume sesa në zgjedhjet lokale 2021.

Ky publikim i KQZ-së, ofron një analizë të detajuar për votimin me asistencë në vendvotimet që gjenden në zonat urbane dhe rurale, duke paraqitur edhe krahasimin se ku është më i shprehur.

Nga 43 mijë e 602 votues me asistencë, 13 mijë e 558 kanë votuar në qendra të votimit në zona urbane, ndërsa 30 mijë e 44 kanë votuar në qendra të votimit në zona rurale.

Gjithashtu, në këtë analizë, krahasohen edhe të dhënat e votuesve që kanë votuar me asistencë sipas moshës, gjinisë si dhe jepen arsyet se përse këta votues kanë shfrytëzuar votimin me asistencë.

Lexo edhe

Video