​Vihet gurthemeli për ndërtimin e lagjes për familjet në nevojë në Podujevë

Në Podujevë është vënë gurthemeli për ndërtimin e lagjes për familjet në nevojë. Familja Stublla ka dhuruar një hektar tokë, ndërkaq realizimi i këtij projekti është në bashkëpunim mes Komunës së Podujevës dhe organizatës humanitare “Shqiptarët për Shqiptarët”.

Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi bashkë me humanistin nga Shqipëria, Elvis Naçi, kanë bërë përurimin e gurthemelit për ndërtimin e kësaj lagjeje në afërsi të tregut të kafshëve.

Elvis Naçi u shpreh se kanë pasur qëllim që të ndihmojnë edhe në Kosovë, duke shtuar se në Podujevë i ka bashkuar dëshira për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

“Ne kemi pasur nijetin dhe qëllimin që të bëjmë diçka në Kosovë. Zoti pastaj, e mira e përbashkët na ra, risku që të jemi në Podujevë. Tani na u shtua bamirësia mbi bamirësi, mirësia mbi mirësinë, gjëja e begatë mbi të begatët, sepse zotërinjtë në emrin e shpirtit të babës së vet të dhurojnë gjithë këtë tokë. Kjo është një gjë që na ka ardhur si surprizë, por kur qëllimi është i mirë dhe dëshira është e mirë dhe kur ne e kemi pasur me zemër të pastër bashkë me ju si kryetar të komunës, megjithëse bie shi, zemrat tona nxjerrin dashuri. Na ka bashkuar dëshira juaj për të parë njerëzit që janë në nevojë këtu”, theksoi ai.


Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se shpreson që me ndërtimin e këtyre shtëpive do të zbusin varfërinë dhe kërkesat e qytetarëve për të zgjidhur çështjen e banimit.

“Është një moment i veçantë për neve si institucion që prej këtu sot të fillojmë ketë gurthemel të ndërtimit të këtyre shtëpive, për nevojtarët të cilët e kanë të pazgjidhur çështjen e strehimit. Falënderoj shumë të gjithë ata shqiptarë për ndihmën që janë duke e dhënë. Është projekti i parë nga fondacioni ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ në kuptimin e vlerës kapitale që tani po fillojmë në Kosovë”, u shpreh ai.

Shaip Stublla, i cili ka dhuruar një hektar tokë për ndërtimin e shtëpive për familjet në nevojë, tha se këtë po e bëjnë për babën e tyre i cili ka vdekur.

“Ne e kemi bërë këtë në mënyrë vullnetare. Për të mirën e qytetarëve të komunës sonë, si shpërblim për babën që nuk është më në jetë, për Haxhi Shabanin, ja pafshi hajrin”, ka thënë ai.

Ky projekt ka vlerë rreth 1 milion euro dhe është donacion nga fondacioni i Elvis Naçit. Me tokën që dhurohet nga bamirësit, përfshinë ndërtimin e shtëpive, lagjes, kopshteve, fushave sportive dhe ambulancës.

Lexo edhe

Video

error: