​“Venecia” i jep dritën jeshile vettingut, Haxhiu: Nis me krerët me të lartë të drejtësisë

Komisioni i Venecias ka dhënë dritën e gjelbër për të filluar me procesin e vettingut dhe për të formalizuar punën për Byronë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Vendimi është marrë në seancën e djeshme dhe është kumtuar sot nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu që doli në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Kurti.

Haxhiu, që është kthyer sot në Kosovë pasi ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Venecias, tha se në draft-opinionin për vettingun, i cili së shpejti pritet të bëhet publik, konstatohet nevoja e domosdoshme për të pasur reformë në drejtësi si dhe rekomandohet ndërmarrja e veprimeve për ndryshimet e nevojshme ligjore dhe kushtetuese në mënyrë që të arrihet rezultati i synuar për një gjyqësor me një integritet profesional dhe efikas.

“Komisioni rekomandon fillimisht verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe prokurori përmes një mekanizmi të jashtëm, pra niveleve të larta duke filluar nga KGJK, KPK si dhe kryetarët e të gjitha gjykatave dhe kryeprokurorëve të të gjitha Prokurorive Themelore. Për të vazhduar më pas në vlerësimin e rregullt të gjyqtarëve dhe prokurorëve në këshillat tashmë të verifikuar. Problemet e shumta në sistemin e drejtësisë, siç janë mungesa e besimit, korrupsioni gjyqësor, stërzgjatja e gjykimeve, mungesa e efikasitetit të mekanizmave disiplinorë, nepotizmit dhe së fundmi edhe me përzgjedhjen e procesit të kryeprokurorit të shtetit, njëjtë si në gjetjet tona, e edhe ato të raporteve ndërkombëtare janë konstatuar gjithashtu nga Komisioni i Venecias të cilat justifikojnë këtë ndërmarrje të rëndësishme reformuese”, deklaroi Haxhiu.

Komisioni, sipas Hahxiut, ka konstatuar se në kontekstin e Kosovës, një vetting efektiv do të kërkonte domosdoshmërisht kombinim të masave të ndryshme që do të kenë efekt pozitiv në integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë,

Komisioni i Venecias, pas kërkesës së kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ka dhënë mendim edhe për Projektligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë, duke theksuar se për konfiskimin përfundimtar të pasurisë do të duhet të vendosë gjykata.


“Sa i përket Projektligjit për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajufistikuar, Komisioni gjen se korrupsioni është një problem serioz e sistematik dhe sipas anëtarëve të cilët kanë punuar në këtë opinion, lufta kundër korrupsionit duhet të rritet dhe se konfiskimi civil mund të jetë i dobishëm për këtë. Pra, Komisioni i Venecias njeh mekanizmin për konfirmimin në bazë civile dhe jep sugjerime se si një mekanizëm i tillë do të duhej shfuqizuar e i cili do të ishte kompetent për verifikimin fillestar dhe më pas konfirmimin përfundimtar do ta bëjë gjykata”, tha ajo.

Për të miratuar vettingun me ndryshimet kushtetuese kërkohet edhe mbështetja e mbështetja e partive opozitare dhe të komunisteve për të kaluar në Kuvend. Ajo u shpreh se është e gatshme të ulet dhe të bisedojë me të gjithë palët e përfshira.

“Do të jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë edhe me Këshillin Gjyqësor, edhe me Këshillin Prokurorial sikurse edhe me përfaqësues të tjerë, qoftë nga organizatat e shoqërisë civile, por edhe partnerë ndërkombëtare dhe partitë opozitare. Vetëm që këto reforma sa më shpejtë të jetësohen… Ne do të procedojmë sa më parë në Kuvend me ndryshimet kushtetuese dhe më pas me ndryshimet e tjera ligjore”, përfundoi Haxhiu.

Ndërsa kryeministri Kurti tha se drejtësia dhe sundimi i ligjit janë shtylla të shtetit demokratik dhe se në mungesë të drejtësisë nuk mund të flitet për të drejtat e njeriut, për konkurrencë të lirë, për investime në ekonomi e as për punësim e demokraci.

Besimi që kemi marrë nga ju me zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit kaluar na ka dhënë kurajë në luftimin e krimit, korrupsionit dhe politizimit në gjyqësor, kurse Komisioni i Venecias na bind që reformat e propozuara janë adekuate dhe në pajtim me politikat e shteteve demokratike. Që nga fillimi i mandatit tonë qeverisës dhe afrimi i pushtetit me qytetarin ju keni ardhur shpesh për ta shprehur pakënaqësinë me procedurat e tej zgjatura gjyqësore, mosveprim të prokurorisë, humbje të mirëqenies për shkak të jo profesionalizimit e ndarje selektive të drejtësisë. Ato që na i keni treguar ju kanë korresponduar me ato që i kemi ditur ne, vettingu është i domosdoshëm, porsi edhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”, deklaroi Kurti.

Edhe Kurti u zotua se çdo gjë që kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i dërgohet Kuvendit ne afat rekord, pasi, siç tha ai, reforma më nuk mund të presë e qytetari më nuk mund të durojë. /KP/

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.