​Vendimi për mbylljen e kafeneve në Parkun e Qytetit, pronarët kërkojnë takim me Ahmetin

​Vendimi për mbylljen e kafeneve në Parkun e Qytetit, pronarët kërkojnë takim me Ahmetin

Pronarët e lokaleve në Parkun e Qytetit në kryeqytet, të cilëve iu ka shkuar vendimi për të mbyllur bizneset e tyre, kanë tentuar sot të takojnë kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, por pa sukses. Të njëjtit po kërkojnë që të gjejnë një zgjidhje pasi thonë se Komuna nuk përgjigjet as në kërkesat e tyre për aplikim për leje. Në anën tjetër, qytetarët mendojnë se në Parkun e Qytetit ka shumë kafene.

Pronari i kafes “Mia Park”, Burim Azemi, tregoi për KosovaPress se që nga viti 2017 po kërkojnë leje por që nuk po u jepet.

Azemi vlerëson se vendimi i Komunës është i gabuar dhe se duhej të pritej sa të mbaron sezoni i verës.

“Sot u dakordum edhe me të gjithë pronarët e lokaleve të Parkut të Qytetit që jemi këtu, ishim në Komunë ku prej 2017 ku kërkojmë leje për zhvillimin e aktiviteteve në Parkun e Qytetit nuk na jepen. […] Ne kemi arsye të fortë pse jemi këtu sepse në këto ditë të nxehta ne jemi për qytetarin që të paktën me t’ju kryejmë shërbim edhe të qëndrojnë në parqe për shkak të freskisë që është. Vendimi i tyre është jashtëzakonisht i gabueshëm për shkak se këta oshtë dashtë të paktën të presin deri në fund të sezonës, deri sa të largohen këto temperatura të nxehta edhe na t’i zhvillojmë këto aktivitete tona”, tha Azemi.

Kaltrin Jusufi, pronar i picerisë “Rona” në Parkun e Qytetit tregon se sikur të gjitha bizneseve të tjera edhe atyre iu ka shkuar vendimi për mbyllje.

“Si të gjitha kafeneve edhe neve na ka ardhur vendimi që brenda 5 dite veç të lirojmë pjesën e tarracës që është pronë publike, po na për atë tarracë lart kemi pas leje edhe gjithmonë e kemi vazhduar lejen e njëjtë, po për këtë vit ata as nuk na kanë vazhduar lejen, as kurrgjë hiç veç d.m.th pas të gjithë atyre investimeve që i kemi bërë po ata veç po vijnë edhe po thonë mbyllni. Më duket diçka absurde veç të vijnë e të thonë mbyllni”, u shpreh Jusufi.

Qytetarët që frekuentojnë këtë park kanë mendime të ndryshe, megjithëse thonë se nuk duhet të ketë kaq shumë në këtë zonë.


Muharrem Bullofci mendon se në Parkun e Qytetit janë bërë shumë kafene dhe se nuk duhet të ketë më shumë se dy.

“Shumë janë bërë, vetëm këtu janë bërë tetë në këtë park, vyejnë edhe një në park me pas na pensionistët jena lodh, shëtit aty, shëtit këtu, po e pijmë një kafe ka nevojë ama jo mu bo tetë kafe. Një, hajde dy, s’duhet me qenë më shumë”, tha ky qytetar.

Një tjetër qytetar, Shyqyri Mici thotë se dalin më shpesh në Gërmi dhe në Taukbahçe pasi Parku i Qytetit është mbushur me kafene.

“Ne dalim shpesh ecim, dalim vikendi në Gërmi, Taukbahçe, mirëpo edhe Parku i Qytetit është degraduar, hajt për kafene që u hapën shumë, stadiumi beton e ka prish edhe stadiumin. Është jashtëzakonisht mirë që po mbyllen (kafenetë) vijnë fëmijë luanjë gjelbërim me pas e jo me pas krejt pluhur… tetë (kafene) janë shumë, çdo pishë që është në park mu bo kafene nuk shkon”, thotë ai.

Një mendim më ndryshe se këta të fundit e kishte Zar Hoti i cili shton se është vendim i keq nga Komuna sepse më shumë po u pengojnë lokalet në qytet se sa këto në parqe.

“Është diçka shumë keq po më duket prej Komunës, kafe ka Prishtina në të gjitha anët por këtë gjelbërim ose këtë kënaqësi, qytetet me veturae, kjo është shumë gabim prej Komunës ma merr mendja, parqet janë, po luajnë fëmija prind po vijnë këtu po pijnë nga një kafe. Unë për vete dal këtu çdo ditë se s’ki ku shkon. Me të tregu të drejtën mu po më pengojnë ato kafet jashtë se e kanë mbyll rrugën, s’po mund të kalosh prej tavolinave dhe karrigeve, e jo prej parkut këtu sa vendi kush do mundet të vrapoj, të ecë, të bëjë sport. Nga ana jem është shumë gabim mi mbyll këto kafe”, deklaron ai.

Të hënën në Parkun e Taukbahçes janë larguar 7 tarraca të lokaleve, dhe e njëjta i pret edhe lokale në Parkun e Qytetit nëse këta të fundit nuk largohen brenda 5 ditësh, afat ky i dhënë nga komuna e Prishtinës./G.Mexhuani/

Lexo edhe

Video

error: