​Varka e peshkimit dyshohet se u përplas nga trageti, shpëtohen 3 peshkatarë

​Varka e peshkimit dyshohet se u përplas nga trageti, shpëtohen 3 peshkatarë

Tre peshkatarë janë rrezikuar të mbyteshin pasivarka e peshkimit me të cilën po lundronin iu fundos në det.

Nga veprimet e para dyshohet se varka është goditur nga një traget, i cili ka pezulluar lundrimin, njoftoi Policia e Durrësit.

Rreth orës 00:05, Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare njoftoi Policinë Kufitare të portit të Durrësit, për peshkatarët që ndodheshin në varkën me konstrukt druri dhe që kërkonin ndihmë.


Menjëherë në ndihmë të tyre është nisur Policia Kufitare me mjetin lundrues, GDF-ja dhe roja bregdetare.

“Mjeti lundrues i Policisë Kufitare të portit të Durrësit ka mbërritur në kohë dhe ka shpëtuar nga mbytja shtetasit që ndodheshin në ujë, pasi motopeshkarexha iu ishte fundosur në det” thuhet në njoftimin e policisë.

Punonjësit e Policisë Kufitare kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë, kapitenin, shtetasin S. A., 54 vjeç dhe pjesëtarët e bordit, shtetasit K. K., 30 vjeç dhe M. E., 50 vjeç, të cilët u transportuan menjëherë në Spitalin Rajonal Durrës, për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Lexo edhe

Video