​Varhelyi: S’ka asgjë të vërtetë rreth “non papers”

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, nga Tirana komentoi edhe idetë për ndryshim kufijsh në Ballkan. Në një konferencë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, politikani hungarez tha se nuk janë të shqetësuar për “non papers” pasi ato nuk janë të vërteta. Nga ana tjetër, kryeministri Rama u shpreh se bindja e tij është se shengeni rajonal është rruga ku duhet të vazhdohet përpara.

Ndonëse në Prishtinë nuk pati kohë për pyetje, Varhelyi iu përgjigj të gjitha atyre që iu bënë në Tiranë. Ndër to, ishte edhe për idenë e dokumenteve të ashtuquajtura “non paper” ku flitet për ndryshime kufijsh.

Varhelyi tha se përveç se nuk ishte e vërtetë një gjë e tillë, nuk janë dakord me asnjë pjesë të saj.

“Është në fakt si një stinë ku ne po shikojmë se kanë lulëzuar dokumente të tilla që quhen ‘non paper’. Është interesante kur dëgjojmë lajme të tilla edhe pse jemi të bindur se asnjë nga këto ‘non papers’ nuk janë në fakt të vërteta. Po të ishin të vërteta atëherë do të ishim të shqetësuar, sepse sigurisht që ripërcaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor e dimë të gjithë se ku na çon kjo lloj gjëje. Kështu që nuk besoj dhe jam i mendimit që asnjë person serioz nuk do ta vinte një gjë të tillë mbi tryezë për të diskutuar mbi të dhe në veçanti në këtë rajon ku jemi. Nuk jemi dakord ne asnjë pjesë të saj, kështu që nuk mendoj se këto janë ide të vërteta dhe reale, por ndoshta u shërben më shumë disa synimeve të tjera. Unë ndihem mjaft mirë dhe jam shumë i qetë pikërisht për faktin se ato janë njoftuar pikërisht nga ata persona të cilëve u është atribuar ky dokument, ky ‘non paper’”, deklaroi Komisioneri i BE-së.

Varhelyi tha se ndjen zili për personat që kanë kohë të bëjnë dokumente të tilla, ndërsa tha se duhet të mendohet se si të arrijmë me sukses dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështjet e tjera me shtetet e rajonit.

“Kështu që kalojmë tani te stina tjetër dhe kjo stinë ka të bëjë me atë se si do ta bëjmë këtë stinë, stinën e Ballkanit Perëndimor dhe si do të marrim marrëveshje për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare jo vetëm me Shqipërinë por edhe me Maqedoninë e Veriut; dhe se si do të punojmë për aplikimin e metodologjisë së re në lidhje me Serbinë dhe Malin e Zi; dhe se si do të vazhdojmë të vijojmë me dialogun dhe se si do të na duhet të arrijmë sukses mes Beogradit dhe Prishtinës. Këto janë ato çështjet e vërteta dhe i kam zili të gjithë ata që kanë kohë të bëjnë dhe dokumente të tilla, të hartojnë letra të tilla”, vijoi hungarezi.


Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh se vizioni i tij është shengeni rajonal si rruga e vetme në të cilën duhet të ecin shtetet e Ballkanit Perëndimor, një projekt ky i kundërshtuar nga Kosova.

Ndërkohë, vijoi Rama, vendet e Ballkanit duhet të diskutojnë në mënyrë të civilizuar mosdakrodësitë e tyre.

“Për sa i përket Ballkanit vizioni dhe bindja ime është e shpallur, shengeni rajonal është rruga ku ne duhet të ecim përditë, ndërkohë që diskutojmë në mënyrë civile mosdakordësitë tona. Mosdakordësitë tona nuk duhet të na pengojnë asnjë ditë që të mbështesim së bashku rritjen ekonomike, përmirësimin e situatës sociale të njerëzve në këtë rajon, ndërtimin e një baze të re për të ardhmen që tu shërbejë të gjithë fëmijëve të rajonit. Shengeni rajonal është një vizion dhe një projekt i përqafuar plotësisht nga BE, i mbështetur plotësisht nga Komisioni dhe Komisioneri është një kontributor konkret i këtij projekti me planin e investimeve. Kështu që ka kaq shumë mundësi që na takon ne t’i shfrytëzojmë maksimalisht saqë është vërtetë gjynah të humbasim kohë të çmuar duke prodhuar dhe riprodhuar historira që nuk na çojnë asgjëkundi”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë u shpreh se nuk ka asnjë zgjidhje magjike për problemet në rajon, por bashkëpunimi ekonomik do të krijojë kushtet që të trajtohen edhe mosdakordëistë e mëdha.

“Nuk shoh asnjë mundësi që ne të gjejmë zgjidhje magjike për problemet që duhet të zgjidhim me shumë durim në rajon, por jam i bindur se sa më shumë ta përmirësojmë atmosferën e marrëdhënieve ekonomike, sociale, fqinjësore mes vendeve, aq më shumë krijojmë kushtet që edhe mosdakordësitë e mëdha të trajtohen në mënyrë civile evropiane dhe në mënyrë produktive. Konfliktet joproduktive na kanë lënë mbrapa. Fatkeqësisht artin e sajimit të konflikteve joproduktive e kemi realisht një art për të cilin nuk na konkurron askush. Ne duhet të evropianizohemi dhe nuk duhet të riballkanizohemi ndërkohë që jemi në mes të rrugës mes ballkanizimit dhe evropianizimit”, tha Rama.

Komisioneri Oliver Varhelyi qëndroi paraditen e së mërkurës në Tiranë para se të mbërrinte në Prishtinë. 

Lexo edhe

Video

error: