​Uran Ismaili dorëzon mandatin e deputetit: Vendimin e kam marrë që t’i përkushtohem Prishtinës

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka dorëzuar sot mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës dhe këtë ka deklaruar se po e bënë për t’iu përkushtuar garës për të parin e kryeqytetit.

Ismaili tha se si kryetar i Prishtinës detyra e tij do të jetë t’iu shërbejë të gjithëve qytetarëve, të bashkojë të gjithë qytetarët në rregullimin e problemeve të përditshme dhe të punojë për ta bërë Prishtinën një vend më të mirë për të gjithë.

“Sot kam dorëzuar dorëheqjen time nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Dua të falënderoj të gjithë qytetarët që më votuan dhe më dhanë nderin dhe privilegjin për t’i përfaqësuar ata në Kuvend. Ky funksion megjithatë besoj që është i papajtueshëm me qëllimin tim për t’u bërë kryetar i ardhshëm i Prishtinës. Si kryetar i Prishtinës detyra ime do të jetë t’iu shërbej të gjithëve, të bashkojë të gjithë qytetarët në rregullimin e problemeve tona të përditshme, të punojmë në mënyrë që të bëjmë Prishtinën një vend më të mirë për të gjithë dhe kur them për të gjithë e kam fjalën për të gjithë”, tha ai.


Pretendenti për të parin e kryeqytetit u shpreh se sot po tërhiqet një hap mbrapa nga politika e përditshme, për t’iu përkushtuar plotësisht Prishtinës.

“Një kryetar i mirë nuk qeverisë me ngjyra partiake dhe unë e kam ndërmend të jem një kryetar i mirë. Vendimin e kam marrë që t’i përkushtohem plotësisht qytetit tonë, Prishtinës. Do të jap gjithçka që kam për këtë qëllim dhe kjo që po bëjë sot është se unë po tërhiqem një hap mbrapa nga politika e përditshme, sepse kam besim se me mbështetjen e bashkëqytetarëve të mi të Prishtinës me 17 tetor ne do të nisim shndërrimin e Prishtinës në një qytet të pastër, të gjelbër e të sigurt, në një qytet digjital e modern, në një qytet miqësor për qytetarët e tij dhe një destinacion atraktiv për vizitorët e tij”, u shpreh Ismaili.

Uran Ismaili në zgjedhjet e 14 shkurtit nga PDK është radhitur si personi i dytë më i votuar, ku gjithsej ka marrë 26 mijë e 716 vota.

Lexo edhe

Video