​“U bëtë ju gratë të flisni për futbollin”, gazetaret sportive: Paragjykohemi, por s’dorëzohemi

Profesioni i gazetarit sportiv nuk është aspak i lehtë në Kosovë, sidomos kur një femër vendos t’i hyjë kësaj rruge.

Ambienti paragjykues vazhdon të mbizotërojë edhe më tutje dhe këtë e pranojnë vet protagonistet që janë çdo ditë në teren dhe ballafaqohen me sfida të panumërta, derisa sjellin para shikuesve zhvillimet më të reja nga skena e sportit vendor dhe jo vetëm.

Gazetarja Qëndresa Krelani, e njohur si “Qeqa” thotë për KosovaPress se në vendin tonë vazhdon të ketë shumë paragjykime për gazetaret femra, madje ajo shton se i përjeton këto paragjykime vetëm sepse i takon kësaj gjinie.

“Fakti që nuk kemi shumë (gazetare femra) tregon që ka shumë paragjykime. Të them të drejtën këtu kanë problem doktorët e shkencave e lëre Qeqa Krelani e cila është një gazetare e sportit. Si femër është e vështire por gjithçka varet se ku dëshiron të sistemohesh dhe si dëshiron ta trajtosh këtë profesion. […] Unë e kam një të mirë që nuk shoqërohem me njerëzit e kësaj industrie, me punëtorët e futbollit dhe prandaj e kam më të lehtë ta them atë që e mendoj sepse nuk më intereson emocioni i tyre. […] Unë jam person që nuk i bie pishman për asgjë. Kjo vetëm sa ma ka ‘trash lëkurën’ në përplasjet dhe debatet që i kam pasur por e vërej një gjë që ato gjëra nuk i them vetëm unë, i thonë edhe gjinia mashkullore në panele, por unë vetëm pse jam femër ndoshta ka reagime të shumta. Kështu që unë kisha pas dëshirë që të më bashkohen edhe femrat e tjera në gazetari në mënyrë që ta luftojmë së bashku të keqen që ekziston në futbollin e Kosovës”, tha Krelani.

Përkundër këtyre vështirësive të lartpërmendura, Krelani i inkurajon vajzat e reja që të studiojnë dhe të merren me gazetari sportive dhe që numri i tyre të jetë sa më i madh në vendin tonë për shkak se, sipas saj, në ditët e sotme është shumë më e lehtë për shkak të mundësive që janë krijuar në këtë industri.

Që paragjykimet vazhdojnë të jenë të pranishme në Kosovë për gazetaret femra e pranon edhe gazetarja tjetër e sportit Alba Morina, megjithëse ajo thekson se një gjë të tillë nuk e ka përjetuar në lëkurën e saj asnjëherë. Sipas saj, ekziston barazia në sport dhe vajzat janë të lira ta japin mendimin e tyre.

“Në fakt para meje ka pasur edhe prezantuese edhe gazetare të tjera të sportit për të cilat për secilën prej tyre kam një respekt te veçantë. Për mua futbolli në veçanti ka qenë diçka me të cilin unë jam rritur për shkak që babin e kam pasur ish-futbollist, aktualisht trajner, edhe komplet fëmijëria ime ka qenë e karakterizuar me futboll edhe me theks të veçantë pas luftës në Superligën e Kosovës. […] Unë asnjëherë nuk jam paragjykuar, përkundrazi unë mendoj që barazia ekziston edhe në futboll dhe që edhe vajzat dhe gratë kanë të drejtë të japin mendim për futbollin edhe për çfarëdo sporti tjetër sepse nuk ka sport që është vetëm për një gjini. […] Unë mendoj që ne duhet të përgatitemi shumë më shumë se sa djemtë sepse nëse djemtë nuk ia qëllojnë diku rrugës në deklarata askush nuk i zë ngushtë, ndërsa si vajzë në këtë treg medial nëse e thua një mendim, sidomos për sportin në vendin tonë komenti i parë ka me qenë, nëse dikujt nuk i pëlqen ‘u bëtë ju gratë të flisni për futbollin’ dhe unë gjithmonë them që edhe ne tregun tonë medial ka gra të cilat dinë të flasin për futbollin, dinë të analizojnë, mbase disa edhe më mirë se plotë do burra që janë nëpër studiot tona televizive”, ka thënë Morina.


Morina, duke folur për KosovaPress, thotë se gazetaria është një profesion shumë fisnik dhe vajzat duhet të ushtrojnë këtë profesion sepse në shumë aspekte ato e bëjnë këtë punë edhe më mirë se sa gazetarët meshkuj.

“Për të gjitha vajzat të cilat e duan gazetarinë e me theks te veçantë të cilat duan të jenë gazetare të sportit unë do t’i kisha inkurajuar edhe publikisht çfarëdo ndihme që unë mund t’iu ofroj prej eksperiencës sime por thjeshtë edhe të vijnë dhe të shohin se si bëhet emisioni do të kisha qenë e gatshme sepse unë mendoj që vajzat si natyre, ashtu siç na ka krijuar Zoti, jemi shumë më delikate se sa djemtë dhe disa imtësia të cilat vajzat mund ta bëjnë diferencë, meshkujve shumë shpesh iu kalojmë, pa të keqen e juaj, por thjeshtë nuk i vëreni”, tha më tutje Morina.

E privilegjuar që e ushtron këtë profesion në Kosovë thotë se ndjehet edhe gazetarja e sportit nga Shkodra, Eljona Pateriku. Ajo thotë për KosovaPress se respekti që ka marr nga akterët e sportit në Kosovë e ka shtyrë edhe më shumë që ta dojë dhe ta bëjë këtë punë.

“Të jesh gazetare sportive në Kosovë jam pak e privilegjuar, nuk e di pse, a ngaqë jam e Shqipërisë apo nuk e di për këtë pjesë, por sa herë që kam kontaktuar me pjesëtarë të klubeve, me trajnerë, më kanë respektuar aq shumë dhe më kanë pritur shumë mirë. Kjo ndoshta më ka bërë që edhe më shumë të merrem me gazetarinë sportive, me e dashtë më shumë dhe të punoj në Kosovë, jo të pretendoj për të ikur në Shqipëri. Unë gjithmonë e kam dashur Kosovën, por kur e kam parë që më kanë pritur aq shumë mirë dhe më kanë respektuar kam thënë që nuk do ta ndryshoj sepse në fund të fundit jemi një dhe do të bëj diçka të mirë për këtë vend”, theksoi Pateriku.

Duke përmendur punën e madhe të bërë nga gazetaret e tjera në Kosovë, Pateriku inkurajon vajzat e reja që ta ndjekin ëndrrën e tyre nëse duan të jenë gazetare të sportit në ta ardhmen sepse, sipas saj, nuk ka vështirësi të mëdha edhe pse paragjykimet do të ketë, ashtu siç i kishte ndodhur edhe asaj kur kishte vendosur ta ushtronte profesionin e gazetarisë sportive.

“Iu them të gjitha atyre që nëse e duan gazetarinë sportive le të nisin dhe të vazhdojnë ta bëjnë sepse unë kur kam qenë shumë më e vogël, e kam parë Qeqen në televizion dhe kam dashur të paktën të jem në vendin e saj, por me punë, vullnet, dëshirë për punën time, kam arritur që sot të jem kolege me Qeqen. Jo vetëm Qeqen, por edhe shumë tjera, Alban, Makin, Doruntinën… do të thotë ka shumë figura shembull në këtë fushë që mundemi të arrijmë të bëjmë diçka të mirë për futbollin dhe sportin në Kosovë…Për mendimin tim them se nuk është ndonjë vështirësi shumë e madhe. Paragjykime ke gjithmonë sepse jemi një vend që edhe më tutje paragjykojnë. Unë për shembull vijë nga një fshat i Shkodrës, ata më kanë paragjykuar mua, familjen time që më kanë lënë vetëm të vijnë në Kosovë…Gjithmonë ka paragjykime, por nëse nuk i thyejmë këto barriera nuk mund të arrijmë askund”, tha në fund Pateriku.

Ndryshe, në Kosovë vazhdon të jetë edhe më tutje një numër shumë i vigël i gazetareve femra dhe paragjykimet shihen si njëra nga pengesat kryesore që femrat të mos zgjedhin këtë prfoesion.

Lexo edhe

Video