​Turqia dyfishon eksportin me Kosovën, kërkohen politika për të mbështetur prodhuesit vendorë

Si rezultat i marrëveshjes tregtare Kosovë-Turqi për heqjen e tarifave doganore për një numër të madh të produkteve, kryesisht industriale, Turqia në katër vitet e fundit ka dyfishuar eksportin në Kosovë. Kjo marrëveshje që ka hyrë në fuqi në vitin 2019 ka bërë që Turqia të tejkalojë Gjermaninë si importuesi më i madh në vendin tonë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022 Turqia ka qenë partneri kryesor tregtar i Kosovës ndërsa situata mbetet e njëjtë edhe në katër muajt e parë të këtij viti.

Në dhjetë vitet e fundit, Kosova ka importuar mallra nga Turqia në vlerë rreth 4.5 miliardë euro, ndërsa Kosova, për të njëjtën periudhë kohore, ka eksportuar në drejtim të shtetit turk rreth 120 milionë euro mallra.

Importi i madh i mallrave mund t’i vë në pozitë të pafavorshme prodhuesit vendorë, alarmojnë nga komuniteti i biznesit.

Dhoma e Tregtisë, Industrisë në Kosovë (DHTIK) vlerëson se sa herë rritet importi, prodhuesi vendor nuk favorizohet. Të njëjtën e thonë edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës. Sipas tyre, duhet t’i jep prioritet shtimit të prodhimit në Kosovë.


Drejtoresha e DHTIK, Zana Beqiri thotë për KosovaPress se shteti duhet të vijë me politika më të mira të subvencionimit të produkteve vendore.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna thotë se duhet punuar më shumë që të rritet prodhimi në Kosovë. Sipas tij, nevojitet më shumë përkrahje nga shteti në mënyrë që prodhuesit vendorë t’i rrisin kapacitetet e tyre.

Se importi e dëmton ekonominë e Kosovës, e thotë edhe profesori në Universitetin e Prishtinës, Sejdi Rexhepi. Porse, sipas tij, premtimet nga qeveritë e kaluara dhe kjo aktuale po mbesin vetëm në letër, dhe nuk po realizohen.

Marrëveshja tregtare Kosovë-Turqi për heqjen e tarifave doganore ishte nënshkruar në vitin 2013 nga ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, Mimoza Kusari – Lila, dhe ish-ministri turk i Ekonomisë, Zafer Gjaglajan. Turqia kishte aprovuar marrëveshjen me Kosovën qysh në vitin 2015. Por, në Prishtinë, ajo hyri në fuqi gjashtë vjet pas nënshkrimit.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

Lexo edhe

Video