​Trendafilova për protestën e paralajmëruar: S’përfshihemi në diskutime politike

​Trendafilova për protestën e paralajmëruar: S’përfshihemi në diskutime politike

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova ka thënë se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë plotësisht të pavarura nga njëra-tjetra. Në adresimin e saj përmes platformës zoom ajo ka thënë se DhSK merren vetëm me përgjegjësi individuale dhe jo përgjegjësi të organizatave.

“Dhomat e Specializuara dhe Prokurori i Specializuar janë plotësisht të pavarura nga njëra-tjetra dhe jemi marrë vetëm me përgjegjësi individuale dhe jo përgjegjësi të organizatave. Siç shihni DhSK fokusohen vetëm në mandatin e vet. Kam parë në media që ka kritika sa i përket punës së gjykatës dhe gjithashtu ka njerëz që nuk besojnë në mandatin e DhSK si gjykatë. Ne nuk merremi me vendime politike, nuk angazhohemi në argumente për çështjen e rasteve që tashmë janë trajtuar nga gjyqtarët, duhet ta përmbushim mandatin tonë sipas kushtetutës dhe ligjit për dhomat e specializuara, duke siguruar procedura të drejta, të pavarura dhe të paanshme, vendimet dhe aktgjykimet do të flasin, ky ishe edhe qëllimi i vizitës sime për t’iu informuar shkurtimisht se çfarë po ndodh, qëllimi është të angazhohemi në një shkëmbim transparent dhe të hapur të pikëpamjeve”, ka thënë Trendafilova.

“Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, edhe ne e kemi të drejtën të mos përfshihemi në çfarëdo diskutimi politik, ne nuk jemi politikanë”, ka shtuar ajo lidhur me protestën e paralajmëruar për të kundërshtuar vizitën e saj.

Kujtojmë se Partia Socialdemokrate (PSD) ka anuluar protestën e paralajmëruar për sot, e cila ishte planifikuar të mbahej kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë Ekaterina Trendafilova në Gjilan.


Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj ka thënë për KosovaPress se anulimi i protestës vjen pas njoftimit zyrtar se Trendafilova ka anuluar konferencën e nesërme. Ai ka thënë se anulimi i vizitës tregon se kjo gjykatë nuk e ka për qëllim informimin e drejtë të opinionit dhe se vepron në bazë të presioneve politike.

Ndryshe, kreu i Dhomave të Specializuara në Hagë, ishte paraparë të mbajë të mërkurën një konferencë për media, e ku brenda do të ishin vetëm pjesëtarë të shoqërisë civile dhe media të akredituara, por pa kamera dhe pajisje të tjera për xhirim.

Por sipas një njoftimi vizita në Gjilan është anuluar për shkak të protestave të paralajmëruara nga PSD-ja, ndërkohë që edhe veteranët e UÇK-së kanë deklaruar se do t’i bashkohen protestës.

Aktivitetet e kryetares së Dhomave të Specializuara po mbahen online, përmes zoom-it.  

Lexo edhe

Video