​Trajneri i Qipros: E mposhtëm Greqinë, tani kërkojmë vendin e dytë me fitore ndaj Kosovës

Trajneri i Qipros Temur Ketsabia është shprehur shumë i motivuar para ndeshjes finale të Ligës C ndaj Kosovës në “Fadil Vokrri”

Ai ka thënë se kanë udhëtuar në Prishtinë për tre pikë të reja dhe se fitorja ndaj Greqisë e ka bërë të mundur që të synohet ky objektiv.

Sipas tij, Kosova ka shumë lojtarë cilësor në kampionatet elitare evropiane por edhe në kampionatin lokal, por kjo do ta bëjë ndeshjen edhe më interesante pasi situata në grup është tejet e komplikuar ku tri skuadra kanë mundësinë që të përfundojnë në vendin e dytë në grup.

“Jemi këtu para lojës me Kosovën e cila do të zhvillohet nesër. Kjo ndeshje është e rëndësishme për të dy ekipet si për Qipron ashtu edhe për Kosovën, veçanërisht për ne duke e ditur se lojën e fundit ndaj Greqisë e kemi fituar me rezultatin 1-0 kështu që ne kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe shpresojmë që nesër të paraqitemi sa më mirë.”, tha Ketsabia.


Ketsabia shtoi se meqenëse skuadra e tij e ka mposhtur Greqinë si liderë të grupit, kjo ka rritur ambiciet edhe për fitore ndaj Kosovës

“Do të bëjmë çka është e mundur për ta fituar lojën nesër, do ta japim mundin maksimal pastaj mos të harrojmë që ne kemi fituar kundër Greqisë e cila është liderë dhe në të njëjtën kohë ekipi më i fuqishëm në grup. Fatkeqësisht për momentin ne ndodhemi në vendin e katërt mirëpo siç u përmend më herët gjendja nuk është stabile në grup dhe ne mund të përfundojmë në vendin e dytë në grup. Pastaj jemi të vetëdijshëm që Kosova ka lojtarë të mirë dhe kualitativ”, shtoi ai.

Ai më pas e vlerësoi lartë kombëtaren e Kosovës duke thënë se ka në përbërje lojtarë shumë kualitativ.

“Kosova ka një ekip shumë të fortë dhe shumë të mirë për faktin se ka lojtarë të cilët luajnë në ligat më të forta evropiane po ashtu edhe lojtarë nga kampionati lokal. Një gjë është e sigurt se ne do të mundohemi maksimalisht që t’i shmangemi atij vendit të fundit.”, tha në fund trajneri i Qipros.

Ndryshe, në grupin 2 të ligës C, Kosova ka gjashtë pikë, vetëm një më shumë se kundërshtari i nesërm, Qipro.

Lexo edhe

Video