​Tetë shkolla në mësim online, Nagavci: Rekomandohet që shkollat të mbyllen të fundit

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci ka deklaruar se ekspertët shëndetësor kanë rekomanduar që shkollat duhet të jenë të fundit që duhet të mbyllet. Ajo tha se situata do të menaxhohet nga shkolla në shkollë, por nuk do ketë vendim bllok për të gjitha shkollat.

Këto komente ajo i bëri për KosovaPress pas takimit të Komitetit për koordinim dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike ka rekomanduar masat e reja anti-COVID.

Tutje ajo ka deklaruar se sot do të mblidhet task-forca e kësaj ministrie për të diskutuar për situatën e krijuar dhe nesër prapë do të ketë takim me drejtoritë komunale të arsimit.

Ministrja e Arsimit u shpreh se në Kosovë aktualisht për shkak të numrit të nxënësve të infektuar me COVID-19, në skenarin e mësimit në distancë kanë kaluar 8 shkolla.

“Janë diku rreth 8 shkolla që kanë kaluar në skenarin e mësimit në distancë sido që të jetë ne sot në orën 15:00 kemi një takim me task-forcën në nivel të ministrisë e cila jep rekomandimet për organizimin e mësimit gjatë kushteve të pandemisë dhe kemi nesër një takim me të gjitha drejtoritë komunale të arsimit dhe presim të vendosim për më tutje. Por, ajo që është duke ndodhur gjithandej në Evropë dhe vendet e rajonit mësimi po zhvillohet me prani fizike me përjashtim të rasteve kur në shkollat e caktuara numri i të infektuarve është më i madh dhe në ato raste kalon vetëm një shkollë apo klasë e caktuar në mësim nga distanca apo me skenarin ‘B’ me numrin e reduktuar të nxënësve në klasa. Besoj që kjo do shqyrtohet  edhe sot në mbledhjen e task-forcën dhe nesër dhe shpresoj shumë që të vazhdojmë tutje edhe në ditët në vijim”, u shpreh ajo.

Nagavci u shpreh se duhet të respektohen masat me qëllim që shkollat të mbahen të hapura, por theksoi se ekspertët kanë rekomanduar që shkollat duhet të jenë të fundit që duhet të mbyllen.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci për KosovaPress deklaroi se nuk do të merren vendime në bllok, por menaxhimi i situatës pandemike do të bëhet nga klasa në klasë, apo shkolla në shkollë.


“Duhet pasur kujdes të shtuar për respektimin e masave edhe për vaksinim të gjitha moshave me dozat e rekomanduara dhe të respektojmë masat që të sigurohemi që shkollat t’i mbajmë hapur por më lejoni t’iu njoftoj që në të gjitha vendet në mbi 90% të vendeve mësimi po zhvillohet me prani fizike dhe rekomandimet e ekspertëve përfshirë edhe institucionet shëndetësore është që shkollat duhet të jenë të fundit që mbyllen nisur nga parimi që të shmangim përhapjen e virusit do të menaxhohet situata nga klasa në klasë dhe nga shkolla në shkollë edhe do të merret vendimi varësisht prej gjendjes në secilën prej shkollave sepse nuk mund të marrim vendime bllok për të gjitha shkollat ngase dallon situata prej shkollës në shkollë dhe komunës në komunë“, u shpreh ajo.

Lidhur me numrin e nxënësve që janë të vaksinuar me vaksinat anti-COVID, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u shpreh se nuk i kanë të gjitha shifrat, por sipas saj këto të dhëna i ka IKSHP.

“Ne i marrim të informata nga shkollat për rastet që identifikohen si raste pozitive ndërkaq IKSHP është institucioni  që jep të dhëna të detajuara në lidhjen me vaksinim. Si ministri nuk i kemi për të gjitha rastet, ka të dhëna por unë nuk mund t’iu referohem sepse nuk besoj që janë të sakta të dhënat që i kemi”, theksoi ajo.

Për përcjelljen e situatën pandemike dhe infektimet në shkolla, Nagavci tha se po bëhen testime të nxënësve nga IKSHP, por tashmë edhe në Prishtinë ka nis shpërndarja e testeve rapide që menaxhohen nga mësimdhënësit.

“Përcjellja e situatës nëpër shkolla po bëhet në vazhdimësi ka raste kur testimi bëhet në Institut apo qendrat që ka hapur MSH, por ka raste sikur në komunën e Prishtinës ku janë hapur një numër i madh i testeve ku po menaxhohen nga mësimdhënësit sepse janë praktike apo lehtë të përdorshme një praktik të tillë e pash në situatën në ‘Ismaili Qemajl’”, tha ajo.

Rekomandimet që kanë dal për rishikim të masave në takimin e sotëm të Komitetit për koordinim dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike ka rekomanduar masat e reja anti-COVID, ku rekomandimet e dala nga ky komitet për rishikim të masave pritet që sot apo nesër në mëngjes të dërgohen për miratim në Qeveri të Kosovës.

Vetëm të mërkurën u regjistruan 2050 raste të reja pozitive, e nga kjo shifër mbi 600 ishin të moshës nën 19-vjeçare.

Lexo edhe

Video