​Të dashuruar me shqipen, studiuesit e huaj në Prishtinë për avancimin e gjuhës

Situata me pandeminë COVID-19 nuk i pengoi dashamirët e shqipes që të vijnë në Kosovë për Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. Dëshira e madhe për të folur dhe studiuar gjuhën shqipe, është sfida që shumë të rinj të huaj kanë vënë para vetes.

Megjithatë pandemia ndikoi në numrin e pjesëmarrësve, të cilët këtë vit ishin më pak se edicionet e kaluara. Për shumicën nga ta është lashtësia e gjuhës shqipe që i shtynë ta mësojnë.

Për Vladimir Georgiev nga Bullgaria kjo është hera e dytë në Seminarin e Gjuhës Shqipe në Prishtinë. Ai thotë për KosovaPress se nga seminari ka përfituar shumë.

“Me ndihmoi veçanërisht sivjet sepse ishim në grupin e avancuar dhe kishim shumë aktivitete të ndryshme që na kanë bërë më shumë me fol gjuhën shqipe. Kemi lexuar, kemi bërë redaktimin e teksteve në shqip, kemi përkthyer artikuj nga gjuha amtare në gjuhën shqipe dhe mbrëmjeve kemi kërcyer valle shqiptare, valle kosovare me disa nga studentët lokalë, që kanë treguar interes me qenë me ne dhe me tregu më shumë për kulturën shqiptare dhe të na ndihmojnë me shqipen”, thotë ai.

Anipse pandemia nuk e ndaloi që të vinte në Kosovë, Georgiev tregon se efekti i saj u vërejt gjatë seminarit.

“Disa ngjarje ishin pezulluar, ishin tre herë më pak pjesëmarrës sesa para 2 vitesh. Por, në anën tjetër mungesa e një ekskursioni të organizuar na ka bërë që ne të organizojmë vet ekskursionin në Kosovë, të shtunën dhe të dielën, dhe kemi parë më shumë. Kemi qenë në Prizren, në Dragash tek goranët dhe në Manastirin e Deçanit. Ishte një mesazh shumë i pasur”, tregon ai.

Dëshira për të mësuar gjuhën shqipe e ka shtyrë edhe Jay Coppo nga Austria që të vijë për herë të dytë në seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.


Ai thotë se është shumë i kënaqur me mësimet që merr. Derisa shprehet i pakënaqur me mungesën e parkut pranë Fakultetit Filologjik, për shkak të ndërtimit të parkingut nëntokësor.

“Jam nga Austria. Unë studioj histori dhe matematikë. Jam student i profesorit Schmid. Mësoj shqip pak, pak flas… Unë jam këtu për herë të dytë në Prishtinë… Është shumë e bukur, por… shumë është keq që parku nuk është më”, theksoi ai.

Për studenten e Angela Popovska është shumë e rëndësishme që të vijë në Prishtinë për Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, pasi e ndihmon shumë që të avancojë njohuritë e saj.

Ajo thotë se fillimisht nuk kishte pasur synim që ta mësonte gjuhën shqipe, por që është dashuruar me të që kur kishte dëgjuar fjalët e para.

“Ne nuk e kemi mundësinë që të zgjedhim gjuhët që do të mësojmë. Do të thotë i mësojmë paralelisht greqishten, rumanishten dhe shqipen dhe unë nuk kisha ndonjë dëshirë të mësoja shqipen por kur u takova për herë të parë me të, u dashurova me gjuhën sepse është shumë, shumë interesante dhe nëse merresh me Gadishullin e Ballkanit, mund të mësosh shumë për të nga gjuhët”, shprehet ajo.

Ndërsa studiuesja Maria Ruseva nga Bullgaria thotë se nga të gjitha gjuhët e reja që është duke mësuar, i pëlqen shqipja.

“Unë mësoj rumanisht, shqip dhe greqisht dhe nuk e di pse shqipja më pëlqen… Seminari ishte ndryshe, ishte shumë mirë, shumë bukur”, thotë ajo.

Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare mbledh studiues dhe albanologë nga e gjithë bota ku mund të bëhen edhe shkëmbime të ndryshme shkencore. Këtë vit seminari u mbajt në rrethana pandemie, ndërkohë që vitin e kaluar nuk u mbajt fare pikërisht për shkak të pandemisë së shkaktuar nga sëmundja COVID-19./N.Jakupi/ 

Lexo edhe

Video

error: