​Tatimet dhe kontributet tashmë do të deklarohen vetëm përmes sistemit EDI

​Tatimet dhe kontributet tashmë do të deklarohen vetëm përmes sistemit EDI

Administrata Tatimore e Kosovës, njoftoi të gjithë tatimpaguesit se prej datës 1 shkurt deklarimi i të gjitha tatimeve dhe kontributeve të aplikuara në Kosovë, do të bëhet vetëm në mënyrë elektronike përmes sistemit elektronik EDI.

ATK thotë se sistemi elektronik EDI është plotësisht funksional dhe është vlerësuar lartë, si nga komuniteti i biznesit, ashtu edhe nga palë të tjera të interesit.

“Deri më tani, 98% e të gjithë tatimpaguesve potencialë për të deklaruar tatime dhe kontribute në Kosovë, deklarojnë përmes Sistemit Elektronik EDI”, thuhet në komunikatën e ATK.


Për të gjithë tatimpaguesit, të cilët ende nuk janë regjistruar në sistemin elektronik EDI, Administrata Tatimore e Kosovës, ju bën thirrje që të regjistrohen sa më parë dhe të përdorin këtë sistem për deklarim.

ATK shton se nga data 1 shkurt 2022 do të ndërpresë mundësinë e shkarkimit të formularëve elektronik për tatime dhe kontribute dhe këto do të mund të deklarohen vetëm përmes sistemit EDI.

Sipas ATK-së, përparësitë e sistemit elektronik EDI, janë: Reduktim i dokumenteve; Reduktim i raporteve periodike; Kursim i kohës dhe kostos; Deklarim i tatimeve në çdo kohë – 24 orë në ditë; Pagesa online në çdo kohë – 24 orë në ditë; Reduktim i vizitave të shumta në zyrat e ATK-së; Dorëzim i menjëhershëm, i besueshëm dhe i sigurt; Procesim i shpejtë dhe i saktë i deklaratave; Qasje në historinë e deklarimeve; Kontrollim i historisë dhe bilancit tatimor, etj.

Për këdo që ka paqartësi rreth regjistrimit, deklarimit dhe pagesës në mënyrë elektronike për tatime dhe kontribute, ATK kërkon që të drejtoheni tek zyrat rajonale ose të kërkoni ndihmë në e-mail, në adresën: [email protected]

Lexo edhe

Video