​“Talia…” përmbyllet me shfaqjen ‘Inspektor Limi’, çmimet e festivalit publikohen nesër

​“Talia…” përmbyllet me shfaqjen ‘Inspektor Limi’, çmimet e festivalit publikohen nesër

Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës” që po mbahet në kuadër të manifestimit ‘Flaka e Janarit 2022”, u përmbyll sonte me komedinë “Inspektor Limi”, nga Lirak Çelaj, me regji të Florent Mehmetit, prodhim i Teatrit Oda, ndërsa siç u tha nga organizatori, çmimet e parapara për këtë edicion do të bëhen publike nesër në mesditë, nga juria vlerësuese e përbërë nga: Arian Krasniqi, dramaturg dhe Shkurte Aliu e Elmaze Nura, regjisore.

Në fakt, Festivali i sivjetmë “Talia e Flakës”, ka qenë skajshmërish i reflektuar prej situatës pandemike dhe masat anti-Covid të ndërmarra nga institucionet përkatëse, të cilat kanë bërë që, tri nga gjashtë shfaqjet e parapara, të anulohen dhe të mos mund të shfaqen para publikut artdashës gjilanas.

Përgjatë festivalit u dhanë shfaqjet: “Viganët” me tekst të Visar Krushës e regji të Ilir Bokshit, nga Teatri i Gjilanit, shfaqja “Aroma e Hënës” me skenar të Mehmet Krajës e regji të Rozi Kostanit, nga Teatri Kombëtar i Kosovësm, shfaqja “GOF” nga Anton Pashku, me dramaturgji e regji të Shkëlzen Berishës e Teatrit ‘Metropol’ të Tiranës.

Shfaqja “5 ditë mbret”, e Teatrit “Andon Zako Çajupi” nga Korça nuk mundi të vinte për shkak të masave të reja anti-Covid, ndërsa shfaqjet “Marksistët e Leninistët e Zvicrës” – Teatri “Adriana” nga Ferizaj dhe shfaqja “Stiffler” prodhim nga “Integra”, u anuluan pasi ndonjëri nga pjesëtarët e këtyre trupave teatrore kishte rezultuar pozitivë me Covid-19.

Sidoqoftë, organizatori u përkujdes që publikut mos t’i mungojnë shfaqjet në netët përkatëse dhe ato u zëvendësuan me reprizën e shfaqjes “Viganët” si dhe komeditë “Hollyshit” dhe “Inspektor Limi”.


Përndryshe, Juria profesionale e manifestimit të sivjetmë e përbërë nga emra të artit skenik, Arian Krasniqi, dramaturg dhe Shkurte Aliu e Elmaze Nura, regjisore, ka përcjellë të gjitha shfaqjet, dhe është bërë e ditur se vendimi për nëntë çmimet e Festivalit do të bëhen publike nesër në mesditë, e siç dihet trupat teatrore dhe artistët garojnë për këto çmime: Kostumografia më e mirë, skenografia më e mirë, aktorja më e mira në rol dytësor, aktori më i mirë në rol dytësor, aktorja më e mirë në rol kryesor, aktori më i mirë në rol kryesor, regjia më e mirë, shfaqja më e mirë dhe teksti më i mirë.

Kur jemi te shfaqja përmbyllëse e Festivalit, komedia “Inspektor Limi”, prodhim i Teatrit Oda, ishte e tillë sa për mbi 60 minuta sa zgjati, me humorin e lehtë në të, ka kënaqur publikun e shumtë në sallë, sidomos loja e aktorëve: Adrian Morina, Nëntor Fetiu, Kushtrim Sheremeti, Kastriot Grajqevci, Daniela Markaj dhe Lirak Çelaj.

Ngjarja ishte e fokusuar në një kafene lagjeje, ku klientët e zakonshëm përfshijnë një shkencëtar që pretendon të ketë zbuluar makinën e kohës, por që askush nuk beson; pronari i kafenesë, një diler i drogës i cili imponon e tmerron dy të parët, një gënjeshtar patologjik dhe nëna e tij me të cilën ka një marrëdhënie posesive, kamarierja e cila ka aspirata për muzikë moderne e cila vetëm muzikës nuk i ngjan dhe agjenti i fshehtë i antidrogës, Inspektor Limi.

Inspektor Limi ndikon si katalizator i ngjarjeve që zbërthejnë anën e fshehtë të këtyre karaktereve, të cilët deri më tani kuptojmë se janë fshehur pas roleve të tyre, duke pasur misione të fshehta dhe kontradiktore me karakterin e tyre parësorë, duke shkaktuar një transformim të papritur për publikun, që në fund i shpërbleu me duartrokitje të gjata.

Përndryshe, përveç që nesër do të bëhen të ditur fituesit e çmimeve të festivalit ‘Talia’, aktivitetet e manifestimit “Flaka e Janarit 2022” do të vazhdojnë deri më 31 janar, ku sipas programit, janë të parapara Festivali i këngës për fëmijë (29 janar, ora 17:00) dhe i muzikës popullore (31 janar ora 19:00 ) si dhe Ora e Madhe Letrare (31 janar, ora 16:00).  

Lexo edhe

Video