​Tahiri: Një grup njerëzish kanë informacione për shtrenjtimin e energjisë elektrike

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se janë një grup njerëzish të cilët kanë informacione për keqpërdorime në periudhën e shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ai ka prezantuar shifra të prodhimit, importit dhe eksportit të energjisë elektrike, ku tha se Kosova ka mbuluar konsumin gjatë këtyre tre muajve. Ndër tjera, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të mos bllokojë formimin e komisionit hetimor për krizën energjetike.

Në konferencë për medie, shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës tha se kanë siguruar të dhëna nga disa sinjalizues, për çka tha se duhet të merret komisioni hetimor parlamentar.

“Janë një grup i vogël i njerëzve, nuk e kalojnë shifrën tetë, të cilët në këto institucione i dinë zhvillimet krejt për këto çështje. Ne sot nuk kemi mandat me i marrë ata njerëz dhe t’i pyesim për të gjitha këto punë. Pikërisht është e nevojshme formimi i këtij komisioni hetimor që t’i ftojnë këta shtatë apo tetë persona në institucionet e Republikës së Kosovës, të cilët kanë dijeni për çdo zhvillim. Këto të dhëna janë gjysmake pa praninë e tyre dhe pa nxjerr në pah se sa për qind e ato parave nga ky 100 milionësh janë shpenzuar, si janë shpenzuar ato para? Pse është ngritur çmimi i energjisë elektrike në 100 për qind në kohën kur ne kriza energjetike rajonale apo evropiane nuk na paska afektuar”, ka deklaruar Tahiri në konferencë për medie.

Po ashtu, Tahiri theksoi se KEK është duke u udhëhequr nga njerëz jokompetentë. Ai shtoi se qytetarët kanë paguar energjinë elektrike me shtrenjtim, ndërkohë që Kosova ka importuar përqindje të vogël.

“Pse duhet të dyfishohet çmimi i energjisë elektrike që ne e kemi kundërshtuar, e që KEK-u nuk e ka shtrenjtuar, vazhdon ta shes të njëjtin? Pse duhet të subvencionohen tarifat me 100 milionë euro shtesë, para të qytetarëve të Kosovës, kur po ashtu nuk ka nevojë për import. Ky është një projeksion që ka dalë nga institucionet, këto janë të dhëna zyrtare. Ky është një projektim që ka ndodhur nga muaji janar, shkurt, mars, prill”, ka deklaruar Tahiri.

Para gazetarëve, ai ka paraqitur të dhënat e siguruara nga sinjalizuesit për prodhimin, eksportin dhe importin e energjisë elektrike.


“Në muajin shkurt, Korporata e Energjetike e Kosovës ka prodhuar 475 mijë megavate, hidrocentrali “Lumbardhi” ka prodhuar 511 megavatë, BRRE që janë prodhues të tjerë solar, e me erë është 38 mijë megavatë. Kërkesa për konsum që është parashtruar nga KESCO në Kosovë ka qenë 460 megavatë. Pra, në muajin shkurt kemi eksportuar 16,923 megavatë, që ne duam të dimë transparencën se kujt i janë shitur dhe me çfarë çmimi? Ndërsa, ka importuar 11 mijë e 350 megavatë. Që i bie nga totali i konsumit tonë në Republikën e Kosovës janë importuar vetëm 2,47 për qind. Apo, nga prodhimi vendor është mbuluar 97,5 për qind konsumi i energjisë elektrike dhe i kemi shitur afër 17 mijë megavatë”, tha ai.

Në prezantimin e këtyre shifrave, ai shtoi se edhe kërkesat për konsum gjatë muajit mars janë mbuluar deri në 99,5 për qind.

“Kërkesa e KESCO-s për konsum në Republikën e Kosovës në muajin mars, totali ka qenë 479, 327 megavatë. Që i bie që KEK-u i ka eksportuar 51 mijë megavatë, që ne kërkojmë saktë se me çfarë çmimesh janë shitur këto. Në anën tjetër i kanë importuar vetëm 2676 megavatë apo 0,56 për qind. Në muajin mars, Republika e Kosovës me prodhimin e vet i ka mbuluar 99,5 për qind të kërkesave të energjisë elektrike në Republikën e Kosovës. Është importuar vetëm 0,56 për qind apo 2676 megavatë. A mund të na tregojë kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli se cila ka qenë arsyeja dhe sa janë shpenzuar në muajin mars prej 100 milionë eurove që janë ndarë për subvencionimin e tarifave”, ka shtuar Tahiri.

Edhe për muajin prill, shefi i deputetëve të PDK-së deklaroi se janë importuar vetëm 0,87 për qind megavat. Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që të mos bllokojë formimin e komisionit hetimor parlamentar.

“Ne i bëjmë thirrje LVV-së, kryeministrit Kurti që mos të bllokojë ditën e enjte themelimin e komisionit hetimor. Sepse këto të dhëna, këto statistika kërkojnë shpjegim. Asnjëherë të vetme që dy dekada nuk është bllokuar themelimi i një komisioni hetimor”, ka përfunduar Tahiri.

Në seancën e së enjtes në rend të ditës është formimi i komisionit hetimor, i cili është propozim i 40 deputetëve lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Lexo edhe

Video