​Tahiri: Mazhoranca parlamentare e LVV-së më e dobëta që ka pasur Kosova

Pas përfundimit të sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se kjo është mazhoranca me performancën më të dobët të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Tahiri në një konferencë për media, tha se për pesë muaj të kësaj qeverie Parlamenti i Kosovës i ishte shndërruar në një ndërmarrje të madhe për punësime familjare dhe kapjes së institucioneve publike.

“Me atë çka kemi parë këta katër muaj, pothuajse pesë muaj, kjo është performanca më e dobët parlamentare e një mazhorance të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. Gjatë këtyre pesë muajve mund të imagjinoni se ky Kuvend ka miratuar vetëm katër ligje gjatë kësaj periudhe, pra edhe këto katër ligje nuk kanë pasur të bëjnë asgjë me projekte të tyre të cilët këta i kanë proklamuar gjatë fushatës së tyre zgjedhore, si dhe që i kanë pasur edhe në programin e tyre qeveritar. Pra, gjatë tërë kësaj periudhe Parlamenti i Kosovës i udhëhequr nga kjo mazhorancë parlamentare, pra nga LVV mund të themi lirisht se ishte shndërruar në një ndërmarrje të madhe për punësime familjare. Ju keni qenë dëshmitar të asaj që këtu janë sjell, janë votuar familjarë të zëvendëskryeministrave, të kryeministrit, të këshilltarëve të kryeministrit, deputetët e LVV-së, të ministrave e kështu me radhë. Prandaj, degradim më të madh që dy dekada prej themelimit të këtij institucioni nuk ka pasur asnjëherë sesa që kemi parë këta katër muaj të udhëhequr nga LVV”, tha ai.

Ai tha se sot një prej institucioneve më të rëndësishme në Kosovë, siç është Zyra Kombëtare e Auditimit në krye të së cilës, ai tha, është emëruar motra e njërës prej këshilltareve të kryeministrit Albin Kurti. Tahiri shtoi se ky institucion ka filluar të degradohet dhe se raportet e auditimit do të shkruhen nga zyra e kryeministrit Kurti.

Tahiri ka pasur kritika edhe sa i përket menaxhimit të pandemisë COVID-19, ku sot u shënuan mbi 1 mijë raste të reja, teksa ka theksuar edhe mungesën e miratimit të ligjeve për t’iu dalë në ndihmë bizneseve të vendit.


“Nuk shohim kurrfarë angazhimi të tij sa i përket mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pra, vendi ynë ka nevojë për një performancë jashtëzakonisht më të mirë të qeverisë dhe të institucioneve tona, vendi ynë ka nevojë për një Ministri të Shëndetësisë shumë më efikase në luftë me COVID-19, në luftë me variantin e ri të virusit COVID-19. […] Ne si vend e kemi miratuar një ligj e atë me nismën atë kohë të opozitës Ligji për menaxhimin e COVID-19 dhe në anën tjetër është miratuar pako për rimëkëmbje ekonomike me një angazhim të fuqishëm të PDK-së edhe pse ishim në opozitë dhe pra sot ky ligj nuk implementohet, edhe pse është në fuqi bizneset tona nuk ndihmohen sa i përket këtij ligji”, u shpreh ai.

Kritika ka pasur edhe sa i përket arsimit, ku u shpreh se ende nuk ka një plan konkret nga Ministria e Arsimit se si do të fillojë viti i ri akademik dhe viti i ri shkollor në rast se vendi do të mbyllet.

Shefi i deputetëve të PDK-së, ka folur edhe rreth përplasjeve të fundit në mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Kompetencat mes këtyre tri institucioneve janë të qarta. KGJK dhe KPK janë dy kategori kushtetuese dhe në asnjë rrethanë Qeveria e Republikës së Kosovës apo politika nuk duhet të ndërhyjë në punën e tyre. Ne i dimë si emërohen anëtarët e KPK dhe KGjK, duhet të ruhet pavarësia e tyre dhe në anën tjetër është fatkeqësi që nuk po shohim një përmbushje të mandatit të MD-së për atë çka është thirrur. Ju e dini sa është fol shumë për konfiskim, ju e dini sa është fol shumë për vetingun dhe sot janë dy iniciativat më të dobëta, më të lodhëta të kësaj qeverie”, tha ai.

Tahiri u shpreh se në konfiskim punon një njëri si zëvendësministri, që sipas tij, ai duhet të jetë subjekt i konfiskimit pasi që familjarët e tij akuzohen për harraq dhe fajde.

Sa i përket vetingut, Tahiri tha se nuk po shohin asnjë pikë serioziteti sa i përket realizimit të kësaj nise. Ai tha se kanë besuar që janë më të përgatitur dhe që kanë ekspert për t’i ndihmuar në këtë fushë, por që theksoi se nuk po e shohin një gjë të tillë. Madje, ai tha se nuk ka shpresë që kjo qeveri me ketë qasje mund ta realizojë një gjë të tillë.

Lexo edhe

Video