​Sveçla: KFOR-i u ofrua të sigurojë pikat kufitare, u refuzua nga elementet ekstremiste

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Njësia Speciale e Kosovës po qëndron pranë dy pikave kufitare me Serbinë për të mbrojtur policët kufitarë dhe doganierët e do të tërhiqet nga aty vetëm pasi serbët të largojnë barrikadat e vendosura. Ministri i Brendshëm ka theksuar se KFOR-i është ofruar të sigurojë policinë kufitare me forca shtesë por një gjë e tillë është refuzuar, siç ka thënë Sveçla, nga elementet ekstremiste. Këto deklarata ai i ka bërë në një konferencë për medie pas një takimi që ka pasur me homologun e tij austriak.

Ministri i brendshëm ka thënë se me një refuzim të tillë është dëshmuar qëllimi për dëmtim të sovranitetit të Kosovës.

“Pas vendosjes së barrikadave ne kemi parë një ashpërsim të retorikës së autoriteteve serbe por edhe të përfaqësuesve të strukturave paralele në Kosovë të cilët kanë portretizuar angazhimin e njësisë speciale sikur represion për ta. Ne duke ditur përvojën e vitit 2008 por duke parë edhe çfarë ndodhi me qendrat e regjistrimit civil, gjitha segmentet e sigurisë së Kosovës kanë vlerësuar që ka qenë i nevojshëm ky hap. Duke qenë se KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe ka ofruar që të sigurojë policinë tonë kufitare me forca shtesë, edhe pikat kufitare, ne kemi thënë se me largimin e barrikadave prezenca e njësive speciale do të ishte e panevojshme, por edhe kjo ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar nga këto elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim këta vetëm se kanë dëshmuar që nuk janë të brengosur siç thonin më herët me praninë e forcave speciale, por qëllimet e tyre janë politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë”, ka thënë Sveçla.

Ministri Sveçla ka thënë se njësia speciale e Kosovës po qëndron në pikat kufitare për sigurinë e qytetarëve, duke shtuar se këto veprime nuk janë provokim e as kërcënim për asnjë qytetaret të Kosovës.

“Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës janë aty për të mbështetur punën e pjesëve tjera apo institucioneve tjera të cilat përkujdesen për rend dhe ligj atje, doganës policisë së kufirit. Në momentin që do të përfundojë nevoja për këtë mbështetje nuk kemi asnjë arsye që policia speciale e Kosovës të qëndrojë aty. Unë e di se për ta nuk është e lehtë këto veprime që po i ndërmarrin, unë u jam thellësisht mirënjohës për punën që po e bëjnë, për sjelljen e tyre profesionale dhe korrekte dhe them se kjo do të duhej të përfundonte sa më shpejtë që është e mundshme, patjetër që kjo do të ndodh kur rendi dhe ligji sundon në atë zonë duke nënkuptuar largimin e barrikadave, largim i cili do të mundësonte qarkullimin e lirë te të gjithë qytetarëve, e posaçërisht qytetarëve të asaj zonë të cilët janë padrejtësisht të bllokuar”, ka thënë ministri Sveçla.


Mbështetje për krejt këto veprime i ka dhënë ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer.

“Tani në këtë situatë të vështirë nevojiten partnerë mirëpo siç më siguroi Ministri i Punëve të Brendshme, në njërën anë është duke u zbatuar operacioni në mënyrë pozitive ndërsa në anë tjetër aty ku janë duke u zhvilluar protesta gëzohem që pala kosovare, policia kosovare po vepron në mënyrë përkatëse dhe me kujdes, edhe pse nuk  e kanë detyrën e lehtë. Mirëpo kjo formë e veprimit policor është shumë e rëndësishme për arsye se secili reagim i fuqishëm do të çonte në reagime të tjera të reja nga pala tjetër dhe pastaj do t’u ipej të drejtë atyre që janë destruktiv dhe kështu do të krijohej një dhunë e madhe spirale të cilën nuk e dëshiron askush. Andaj mendoj ajo që po bëhet tani është rruga e saktë, e duhur, edhe pse nuk është rrugë e shpejtë dhe spektakolare”, ka thënë ministri austriak.

Ai ka thënë se Evropa po e shikon me kujdes se çka po ndodh në veri të Kosovës.

“Më e rëndësishmja në situata të tilla është që të mos provokohemi dhe posaçërisht këtë qetësi dhe qartësi është duke e ofruar dhe siguruar Qeveria e Kosovës, ndërsa Bashkimi Evropian është duke siguruar që ne mos të pranojmë dhunën asnjëherë si mjet politik, ndërsa Austria është duke dhënë kontributin e saj aktiv në KFOR për të kontribuar në këtë siguri”, ka shtuar ai.

Më 20 shtator ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet të targave për automjetet serbe që hyjnë në Kosovë.

Këtë e kanë kundërshtuar serbët në veri të vendit të cilët kanë vendosur barrikada në rrugët që dërgojnë në kufirin Jarinjë dhe Bërnjak.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: