​Subvencionimi energjisë elektrike mirëpritet nga INDEP dhe pensionistët

Subvencionimi i energjisë elektrike për familjet me të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro për anëtar po konsiderohet formë e gabuar nga qeveria. Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se çdo ndihmesë për qytetarët është e nevojshme, por sipas tyre, shteti i Kosovës nuk mund të mbahet me subvencione.

Ndërsa, këtë vendim e kanë mirëpritur Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), për të cilin janë shprehur se është formë e qëlluar, porse i vonshëm.

Sipas Ministrisë së Financave deri tani kanë aplikuar mbi 16 mijë familje për subvencionimin e energjisë. E prej atyre që kanë aplikuar për këtë mbështetje janë edhe pensionistët të cilët po i përmbushin kriteret për subvencionim të energjisë elektrike.

Subvencionet e energjisë elektrike të nevojshme i cilëson pensionisti, Rizah Krasniqi, pasi që sipas tij, kjo do të mundësojë të kursejë gjysmën e pensionit të cilën e shpenzon për të paguar faturat e rrymës.

Pensionisti tjetër Tahir Mavriqi, i cili ka aplikuar për të përfituar subvencionimin e energjisë elektrike, tha se të gjithë faturat e rrymës duhet t’i paguajë vetë, për çka shprehet se nuk po mund t’i sigurojë të hollat.


Liron Gjocaj nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ka deklaruar për KosovaPress se një formë e tillë e subvencionimit ka ndodhur edhe në vendet e tjera dhe sipas tij, nuk ka arsye që edhe në Kosovë të mos jetë e mirëpritur.

Po ashtu, Gjocaj shtoi se subvencionimi i qytetarëve për faturat e energjisë elektrike është pagesë e cila e do të i kthehet ekonomisë së vendit, ndërsa për KESCO-n është garanci se faturat do t’i paguhen.

Ndërsa, njohësi për çështje ekonomike, Safet Gerxhaliu tha se çdo ndihmesë për qytetarët është e nevojshme, derisa shtoi se shteti i Kosovës nuk duhet të mbahet në këmbë me subvencione.

Tutje, Gërxhaliu u shpreh se nëse energjia elektrike do të ishte prodhuar në Kosovë, do të fitonte më shumë ekonomia e Kosovës, por në mungesë të kësaj janë ekonomitë familjare që do të përfitojnë më shumë.

Në anën tjetër nga KEDS-KESCO nuk janë përgjigjur për KosovaPress se si do të trajtohen ato familje përfituese dhe në çfarë forme do t’i pranojnë paratë nga Qeveria e Kosovës. Thirrja për subvencionimin e energjisë elektrike do të jetë e hapur deri në fund të shtatorit./A.Drenica/

Lexo edhe

Video