​Studentët kundër strehimit të afganëve në QS

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës kundërshtoi idenë që afganët që pritet të strehohen në Kosovë të akomodohen në Qendrën e Studentëve në kryeqytet. Edhe pse nuk ka asgjë zyrtare në lidhje me këtë çështje, studentët thanë se QS nuk duhet të shndërrohet në kamp pasi ka mjaftueshëm vende të tjera.

Nënkryetari i Parlamentit Studentor, Fatlind Azizi, u shpreh se ashtu si e ka emrin kjo qendër iu takon studentëve. Sipas tij, është për t’u habitur se për gjithçka vendi më i përshtatshëm shihet Qendra e Studentëve.

Ai tha se kanë informacione të sigurta se Qendra e Studentëve po planifikohet të jetë një vendstrehimi për refugjatët.

Azizi tha se iu kanë shkruar kryeministrit Kurti dhe ministres së Arsimit, Nagavci, rektorit të UP-së, Naser Sahiti dhe drejtorit të Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta për të mos vendosur pro strehimit të afganëve në QS.


“I kemi nisur një shkresë zyrtare përmes një emali kryeministrit të vendit dhe ministres së Arsimit, ku i kemi potencuar qëndrimet tona të kundërta për vendosjen e refugjatëve ku do të qëndrojnë studentët. Fatkeqësisht nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ta, qoftë pozitive apo negative. Në atë shkresë u sqarua ky vendim që po mendohet të merret është në kundërshtim me statutin e Qendrës së Studentëve dhe u kërkua me mirëkuptim anulimin e këtij vendimi. Kosova ka mjaftë vende dhe kampe ku do të mund të vendoseshin refugjatët e një nga rastet e fundit është edhe vendosja e motrave dhe vëllezërve tanë nga tërmeti në Shqipëri ku një numër i madh u sistemuan nëpër qendra të ndryshme”, tha Azizi.

Azizi, duke kujtuar pandeminë dhe kohën ku Qendra e Studentëve u kthye në qendër karantimi për personat që ktheheshin në Kosovë, tha se gjësendet e studentëve ishin dëmtuar.

“Qendra e Studentëve pas një kohe të shkurtër u shndërrua në një qendër karantinimi për shkak të panjohurave të një virusi vdekjeprurës, ne nuk e thamë asnjë fjalë kundër karantinimit të qytetarëve në këtë qendër, edhe shumë studentë ishin dëmtuar nga qytetarë të papërgjegjshëm të cilët kishin përdorur gjërat e tyre personale, ajo sfidë vetëm se ka kaluar por po ndërlidhmi me faktin se Qendra e Studentëve nuk mund të bëhet një vend që mëshiron institucionet dhe mund t’i kryejnë obligimet që ata i kanë ndërmarrë sepse kjo supozohet t’i shërbejë vetëm studenteve. Në fundjavën e kaluar nga burime të sigurta na është konfirmuar se Qendra e Studentëve po planifikohet të jetë një vend i strehimit të refugjatëve, këto të dhënave vetëm u evidentuan me daljen e shumë mediave me të njëjtin mendim”, thotë ai.

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës paralajmëroi protesta në rast se Qeveria e Kosovës vendos që të mos dëgjojë ata dhe të strehojë refugjatët në Qendrën e Refugjatëve. /G.Mexhuani/

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.