​Stoltenberg takon sot Kurtin dhe Vuçiqin

​Stoltenberg takon sot Kurtin dhe Vuçiqin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të pres sot në selinë e aleancës, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në njoftimin e NATO-s, thuhet se pas takimit, Stoltenberg dhe Kurti do të mbajnë konferencë për media në orën 17.

Takimi në Bruksel me Stoltenbergun vjen tri javë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht bllokuan rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë, për të shprehur kundërshtimin e tyre lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Më 31 korrik, NATO tha se misioni i saj në Kosovë, KFOR, ishte i përgatitur të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti në vend. Të njëjtën deklaratë e bëri edhe shefi i aleancës, Stoltenberg gjatë një bisede që ka zhvilluar me Vuçiqin më 3 gusht.


Por, pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, Qeveria e Kosovës tha se do të shtynte zbatimin e vendimeve për 30 ditë, kur të hiqen barrikadat e vendosura dhe barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit.

Stoltenberg takon Kurtin dhe Vuçiqin një ditë para se këta dy të takohen në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ndërsa të enjten, më 18 gusht, në Bruksel do të mbahet takimi i nivelit të lartë të dialogut Kosovës-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së.

Zyra e informacionit e BE-së ka bërë të ditur se takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq do të fillojë në orën 10:30, me pjesëmarrjen edhe të emisarit special evropian për dialogun Miroslav Lajçak.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.