​SPAK proteston para qeverisë, kërkon miratimin e Ligjit të Pagave

​SPAK proteston para qeverisë, kërkon miratimin e Ligjit të Pagave

Procedimi për në Kuvend i Ligjit për Pagat, fillimi i zbatimit të sigurimeve shëndetësore dhe nënshkrimi i kontratës kolektive e sektoriale, ishin kërkesat e Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës (SPAK) në protestën e sotme.

Këto kërkesa i kanë mbështetur edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës dhe Sindikata e Zjarrfikësve, që morën pjesë në këtë protestë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi, tha se kërkesat e tyre janë tejet të arsyeshme dhe duhet të merren parasysh nga ana e qeverisë së Kosovës.

“Kërkesat tona substanciale dhe të drejta janë që sa më parë të shkojë Ligji i pagave në Parlament, pasi që nuk është kërkesë vetëm e jona po është kërkesë e të gjithë të punësuarve në sektorin publik. Ju e dini se mund të them që kjo mund të jetë edhe protesta e katërt apo e pestë, pasi që kemi pasur protesta me të njëjtat kërkesa. Kërkesë tjetër është që të pranohet përvoja e punës të gjithë baballarëve, nënave, motrave, kolegëve tanë të dëbuar dhunshëm gjatë regjimit të Serbisë nga vendet e punës[…]Kërkojmë që sa më parë të fillohet me zbatimin e sigurimit shëndetësor, të bëhet nënshkrimi i kontratës kolektive dhe sektoriale, njëkohësisht kërkojmë që të bëhet riorganizimi i pagës minimale apo më mirë të themi rritja e pagës minimale. Si SPAK kemi propozuar që paga minimale të jetë 350 euro”, tha ai.

Ai tha se në protestën e sotme i janë bashkuar edhe sindikata të tjera, kjo për t’i treguar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, se janë unik rreth kërkesave të tyre.


Nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e qeverisë, Gashi theksoi se do të organizojnë edhe protesta të tjera.  

“I kërkojë kryeministrit reflektim, hapi dyert dialogo me Sindikatat, sepse thjeshtë do të kesh përkrahjen tonë edhe profesionale dhe mos na detyro të shkojmë në protesta të mëtutjeshme, pasi që ju siguroj që protesta e ardhshme nuk do të jetë e këtij formati po do të jetë një protestë shumë më e madhe, ndoshta me të drejtë mund të them me qindra shërbyes publik që do të jenë në shesh”, tha ai.

Në protestë mori pjesë edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, i cili tha se të gjitha sindikatat po kërkojnë të njëjtën gjë, e që është miratimi i Ligjit të Pagave.

“Sot erdha në emër të të gjithë të punësuarve në sektorin e arsimit bashkë me bashkëpunëtorët e mi, që të shprehim solidaritet dhe përkrahje edhe për SPAK duke i dërguar edhe një mesazh qeverisë sonë që përditë po sheh protesta dhe këto protesta mund të bëhen edhe më të mëdha, pastaj mund të na vijnë edhe greva. E vetmja kërkesë edhe e këtyre sot ishte që të kemi dialog dhe të diskutojmë bashkërisht për Ligjin e pagave, dialog ky i cili po mungon. Por unë uroj dhe besoj që qeveria më në fund do ta sheh se Sindikatat po bëhen gjithnjë e më unike, nuk do të provojë të bëjë përçarje mes tyre, por do të ulet dhe do të dialogojë në mënyrë që të mos ketë më nevojë për protesta e për greva”, tha ai.

Edhe kryetari i Shoqatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, tha se duhet urgjentisht të miratohet Ligji i pagave.

“Moto e kësaj proteste ishte që Ligji i pagave sa më shpejtë të procedohet, të ketë transparencë dhe të marrim pjesë edhe ne sindikatat në grupin punues ku ne nuk e dimë se çka është aktualisht pas refuzimit të Gjykatës Kushtetuese. Çështja e koeficientit ose mos zbatimi i Ligjit të pagave zjarrfikësit i dëmton më së shumti. Për 20 vite pasluftës njëherë që është bërë mirë për zjarrfikësit ka qenë Ligji i pagave, për shkak se jemi nivelizuar me Policinë e Kosovës. Mos hyrja në fuqi e këtij Ligji na ka dëmtuar”, tha ai.

Lexo edhe

Video

error: