​Sot shënohet Dita Botërore e Bletës 🐝

​Sot shënohet Dita Botërore e Bletës 🐝

Sot shënohet Dita Botërore e Bletës. Kjo ditë hyri në kalendarin e ngjarjeve mjedisore me iniciativë të Sllovenisë, e cila i propozoi Kombeve të Bashkuara (OKB) të shpallin 20 majin si Ditën Botërore të Bletës. Më 20 dhjetor 2017, pas tre vitesh përpjekjesh ndërkombëtare, Shtetet Anëtare të OKB-së miratuan njëzëri propozimin e Sllovenisë dhe 20 maji u shpall Dita Botërore e Bletës.

Qëllimi i shënimit të kësaj ditë është ndërgjegjësimi i rëndësisë së bletëve për biodiversitetin, për jetën dhe mirëqenien sociale, me synimin për të nxitur aktivitete në kontekstin e sigurimit të kushteve për mbijetesën e tyre. Me rastin e shënimit të kësaj ngjarje edhe Agjencia e Mjedisit të Evropës sot organizon një aktivitet ndërgjegjësimi me moton “Bee Engaged”.

Sot, çdo e treta lugë ushqimi varet nga pllenimi dhe produktet e bletëve janë një burim i pasur i lëndëve ushqyese thelbësore. Bletët janë disa nga pjalmuesit më të rëndësishëm, duke garantuar sigurinë ushqimore, bujqësinë e qëndrueshme dhe biodiversitetin. Ato kontribuojnë edhe në zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe ruajtjen e mjedisit. Në planin afatgjatë, mbrojtja e bletëve dhe sektori i bletarisë mund të ndihmojë në uljen e varfërisë dhe urisë, si dhe në ruajtjen e një mjedis të shëndetshëm dhe biodiversitetit.


Bletët janë të rëndësishme edhe për sa i përket bujqësisë së qëndrueshme dhe krijimit të vendeve të punës në fshat. Me pjalmim rrisin prodhimin bujqësor, duke ruajtur kështu diversitetin dhe shumëllojshmërinë në arat dhe në tryezat tona. Përveç kësaj, ato u ofrojnë miliona njerëzve vende pune dhe janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave të fermerëve.

Megjithatë, studimet shkencore tregojnë se ka gjithnjë e më shumë efekte negative në shëndetin e bletëve, gjë që i bën ato gjithnjë e më të rrezikuara. Kjo, nga ana tjetër, kërkon që ne të kujdesemi më shumë për mbijetesën e tyre, pasi faktorët e dëmshëm shkaktojnë ulje të rezistencës së bletëve, gjë që ndikon në ndjeshmërinë e tyre ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve.

Përveç kësaj, kërcënimi i mbijetesës së bletëve është problematikë që ndërlidhet edhe me mbrojtjen e  mjedisit, pasi bletët nxisin biodiversitetin në natyrë, kanë një ndikim pozitiv në të gjithë ekosistemin dhe janë një tregues i mirë i gjendjes së mjedisit.

Lexo edhe

Video