​“Sofra e punëtorëve të ‘Feronikelit’ po mbetet e thatë”, punëtorët kërkojnë zgjidhje nga Kurti

Rreth një mijë punëtorë të “Ferronikeli”-it të cilët mbetën pa punë prej 8 tetorit sërish këtë të martë protestuan para objektit të Qeverisë, për të kërkuar nga kryeministri i Kosovës që të bëhet zgjidhje për ta.

“Stop diskriminimit të punëtorëve të Ferronikel”-it, “Nuk duam të jemi në rrugë por në fabrikë”, “Qeveri reflekto”, “Duam trajtim njerëzor të punëtorit”, ishin disa nga mbishkrimet që po mbanin punëtorët gjersa brohoritnin “edhe fëmijët tanë duan bukë”.

Një sofër me bukë dhe kryp u vendos para objektit, kjo sipas punëtorëve përçon mesazhin për gjendjen ekonomike të tyre.

Kryetari i sindikatës së punëtorëve, Sejdi Morina, tha se gjendja ekonomike e sociale e punëtorëve të “Ferronikel”-it po përkeqësohet dhe se sofra e punëtorit po mbetet e thatë.


“Që gjendja ekonomike dhe sociale e punëtorëve të ‘Feronikelit’ ditë për ditë po keqësohet, kjo simbolikë paraqet se po i vjen momenti që sofra e punëtorëve të ‘Feronikelit’ të mbetet e thatë, d.m.th një bukë, pjata me pak kryp, kjo helmeta simbolizon punëtorin e ‘Feronikelit’. Në anën e djathtë e kemi në djep një foshnje së cilës edhe qumështi i shteron d.m.th përgjysmë e ka shishen me qumësht. Kjo e pasqyron gjendjen reale të punëtorëve të ‘Feronikelit’. Kërkesë drejtuar Qeverisë edhe institucioneve kompetente është që t’i kthejnë sytë nga ’Feronikeli’” ka shtuar ai.

Kurse Abedin Haxhiu, anëtar i kësaj sindikate tregoi se përkundër kërkesë për të të takuar kryeministrin Kurti, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ai ka theksuar se Qeveria e ka obligim që të gjejë formën për t’i ndihmuar punëtorët e “Ferronikel”-it.

“Qeveria ka obligim dhe duhet të gjejë forma dhe mundësi për të na ndihmuar që ne të kalojmë këtë gjendje të rëndë nëpër të cilën po kalojmë. Kryeministri  duhet urgjentisht të na bëjë një zgjidhje që ne të rifillojmë punën dhe të mos mbesim barrë e shtetit ku, një mijë familje janë pa të hyra dhe dikund rreth një mijë familje të tjera janë të prekura indirekt nga dalja e punës në ‘Feronikel’. Kryeministri duhet ta dijë që me daljen nga puna në ‘Feronikel’ përpos që ne kemi mbetur pa paga kjo i kushton edhe buxhetit të shtetit, pasi që siç dihet se 40 deri në 50% të eksportit të Kosovës e bën ‘Ferronikeli’” ka thënë ai.

Punëtorët kanë paralajmëruar edhe protesta të tjera, për të cilat thanë se nuk do të jenë paqësore. Kujtomë që “Ferronikel” ndërpreu punën me 8 tetor për shkak të krizës energjetike.

Lexo edhe

Video

error: