Situata epidemiologjike me COVID-19 mbetet e qetë, pavarësisht se u krijua një shqetësim ditëve të fundit për një rikthim të mundshëm të virusit që më 2020 mbylli të gjithë botën. Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj deklaroi për KosovaPress se nuk ka asnjë arsye për panik.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi se në dy javët e fundit (30.08.2023 – 12.09.2023) në Kosovë janë raportuar 67 raste pozitive dhe 1 rast i vdekjes me COVID-19. Sipas grupmoshave, rezulton se numri më i madh i rasteve i takojnë grupmoshave 50-59 vjeç (me 16 raste) dhe 60-69 vjeç (me 15 raste) me moshë mesatare 52 vjeç.
Mirëpo, Vishaj u shpreh se numri i te infektuarve është në suazat e normales ndërsa për personin që ka humbur jetën u shpreh se COVID-i nuk ka qenë shkaktari kryesor i vdekjes.
Drejtori i Infektivës tha se njerëzit duhet të kuptojnë se COVID do të qëndrojë gjatë por 67 rastet e raportuar nuk është numër i lartë.
I pyetur për simptomat nëse ka ndonjë ndryshim nga ato që tashmë dihen, Vishaj tha se ato mbesin të njëjtame temperaturë, ethe, lodhje, plogështi, rrjedhje hundësh e dhimbje barku.
Tutje, Vishaj bëri thirrje për qytetarët të cilët nuk janë të vaksinuar të vaksinohen, ndërsa për qytetarët të cilët kanë simptoma të këtij infeksioni të paraqiten tek mjeku familjar në mundësinë e parë.
Vishaj apeloi që të gjithë ata persona me simptoma të COVID-it nuk duhet të qëndrojnë në hapësira të mbyllura ku potencialisht mund të rrezikojnë edhe të tjerët.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), prej 67 rasteve të konfirmuara me COVID-19, sipas komunave rezulton se numri më i madh i rasteve është raportuar nga komuna e Prishtinës (25 raste), Pejës (8 raste) dhe Gjakovës (7 raste) kurse incidenca më e lartë e rasteve është raportuar në komunën e Prishtinës me 13 raste në 100,000 banorë dhe Kaçanikut me 12 raste në 100,000 banorë./A.Drenica/