​“S’ka organizim të zgjedhjeve serbe në Kosovë”, Kusari thirrje Beogradit: Bëni përgatitjet që të votohet përmes Zyrës

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila deklaroi se nuk ka kthim mbrapa në organizimin tradicional të procesit zgjedhor të Serbisë në Kosovë. Në një deklarata pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ajo u shpreh se ajo çfarë ndodhi me referendumin serb është një standard që duhet të aplikohet edhe për zgjedhjet e përgjithshme dhe presidenciale të prillit.

“Kosova funksionimin e saj si shtet normal jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Evropë, duhet ta aplikojë duke ju garantuar qytetarëve me dyshtetësi procesin e votimit, qoftë përmes postës apo edhe përmes Zyrës ndërlidhëse të Beogradit në Prishtinë por që kthim mbrapa në organizimin tradicional të procesit zgjedhor të Serbisë nuk ka. Duhet edhe komuniteti serb në Kosova ta kuptojë se iluzioni se Kosova është pjesë e Serbisë, apo faktikisht pjesë e kushtetutës së Serbisë ka mbaruar dhe këtu duhet të fillohen të aplikohen standarde të njëjta si për të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Kosovës të cilët kanë dyshtetësi, qoftë të Shqipërisë, të Turqisë apo të ndonjë shtetit tjetër”, deklaroi Kusari-Lila.

Deputetja e pozitës u shpreh se Beogradi duhet të fillojë me përgatitjet që të votohet përmes Zyrës ndërlidhëse të saj në Prishtinë, duke qenë se në sistemin e tyre nuk mund të votohet me postë.


“Në të gjitha rastet dihet qartë se cilat janë procedurat e votimit. Ne e kuptojmë se nëse në Serbi nuk aplikohet votimi me postë, prandaj inkurajojmë edhe autoritetet atje që të bëjnë përgatitjet e duhura për votimin në Zyrën ndërlidhëse të Beogradit në Kosovë, por natyrisht kërkojmë që të respektohet vullneti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës dhe natyrisht një praktikë e tillë e cila komuniteti serb e barazon me të gjithë komunitetet e tjera, përfshirë edhe shqiptarët”, u shpreh Kusari-Lila.

Në fjalën e saj, Kusari-Lila tregoi se të mërkurën me fillim në ora 14:00 do të mbahen seancë me pikat e papërfunduara të seancave të kaluara. Te enjten do të ketë sërish një seancë të jashtëzakonshme thirrur nga opozita për situatën me pandeminë në vend, ndërsa pas kësaj një seancë të re.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, u përqendrua te shtrenjtimi i energjisë, ku tha se qytetarët në Kosovë po paguajnë katër herë për rrymë.

“Ata që shpenzojnë duhet ta paguajnë, por nuk duhet një kategori e qytetarëve të paguajnë për një kategori tjetër të qytetarëve. Për këtë arsye vjen roli i shtetit. Shteti me këtë politikë katër herë po i detyron qytetarët të paguajnë faturat. E para është fatura e KEDS-it, e dyta është mbi 50% e qytetarëve që shpenzojnë mbi 800 kilovatë paguajnë për pjesën tjetër dhe për biznese. E treta subvencioni 75 milionë euro, kush i paguan? Është e para e taksapaguesve. Dhe e katërta ne po paguajmë për qytetarët serbë të veriut të Kosovës”, deklaroi ai.

Lexo edhe

Video