​Si të jepni dorëheqje nga puna, pa i prishur mundësitë e tjera

​Si të jepni dorëheqje nga puna, pa i prishur mundësitë e tjera

Nga puna mund të largoheni për arsye të ndryshme, që nga arsyet personale, familjare e deri te pakënaqësitë në punë. Megjithëse mund të largoheni nga puna sepse jeni plotësisht të pakënaqur me atë që keni gjetur në atë punë, mos i shkatërroni të gjitha urat lidhëse kur largoheni nga atje! E për të mos arritur gjerë këtu, Akademi Pune ka disa këshilla të vogla, por që do të keni të mira pafund sa herë që ta keni ndarë mendjen të largoheni nga një punë.

Mendoni edhe për përshtypjen e fundit

Të gjithë kujdesen për përshtypjen e parë, por a keni menduar ndonjëherë se çfarë ndikimi ka përshtypja e fundit. Mund të keni ndërtuar shumëçka për vite me radhë, por për një veprim të fundit, gjithçka do të bie në tokë. Prandaj, edhe veprimi i fundit kur të vendosni që të largoheni nga puna, le të jetë i mirë.

Takohuni personalisht

Shkrimi i emailit nuk është ide e keqe, por në disa raste mund të tingëllojë e pasjellshme dhe e vrazhdë, por edhe shumë më shumë e kufizuar. Takimi personalisht me menaxherin e bën më të kuptueshme gjithë arsyen e largimit. Ndani kohë për të si dhe, bëni gati një letër dorëheqjeje! Nëse keni dikë që mund t’ju zëvendësojë, përmendni atë dhe thoni që jeni gati ta mësoni këdo që vjen në vendin tuaj deri në momentin kur të dilni!

Jepni kohë specifike

Nuk mund thjesht të zgjoheni në një mëngjes të bukur dhe të mos shkoni në punë. Është një standard se çfarë duhet të bëni në këto raste. Duhet t’ia jepni punëdhënësit një datë të sigurt se kur do të dilni në mënyrë që të ketë rast të përgatitet për mbushjen e vendit.


Jini të gatshëm deri në fund

Shumë punonjës disa ditë përpara se të largohen, i neglizhojnë detyrat e tyre, madje shkojnë në punë më vonë dhe dalin më herët. Kjo sepse, e ndjejnë që i ka ardhur koha të largohen dhe punëdhënësi nuk do t’i sheh veprimet e tyre me sy të keq. Ky është një veprim i dëmshëm, për karrierën tuaj. Sepse në këtë mënyrë punëdhënësi nuk do të jetë më në gjendje t’ju kthejë në punë, ose t’ju rekomandojë te dikush tjetër.

Mirësjellje

Nëse pyeteni pse po largoheni, thoni që kjo po ndodhë për arsye personale, nuk është e nevojshme që të jepni më shumë informacione! Jini profesional, tregoni punëdhënësit se sa me fat ishit që keni krijuar përvojë pune në një vend të tillë dhe keni pasur mundësi të punoni në të! Gjithçka mbani në nivelin e modestisë dhe mos u tregoni mendjemëdhenj!

Vlerësoni

Mos harroni që në një kohë kur keni pasur më së shumti nevojë për punë, ajo kompani ju është gjetur në ditë të vështira, prandaj pavarësisht të gjithave e meritojnë që ta bëni gati edhe një letër falënderimi, apo edhe ta mbani ndonjë fjalim falënderuar në një kohë kur njerëzit më të rëndësishëm janë pjesëmarrës! Tregoni se sa mirë ishte që të punonit me ta dhe jeni falënderues për çdo ndihmë dhe përvojë që e kanë ndarë me ju!

Gjatë jetës do t’ju duhet që të merrni vendime të vështira ose të tilla kur nuk do të ndiheni rehat. Por, mos lejoni që frika t’ju marrë përpara. Nganjëherë edhe dorëheqja nga puna, mund të jetë vendim që do t’ju shtyjë drejt suksesit. Thjesht bëjeni në formën e duhur! /Akademi Pune

Lexo edhe

Video