Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

​Shuarja e Task-Forcës Antikorrupsion, Haxhiu e quan veprim hakmarrës por Hoti e arsyeton

​Shuarja e Task-Forcës Antikorrupsion, Haxhiu e quan veprim hakmarrës por Hoti e arsyeton

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka konsideruar shuarjen e Task-Forcës Antikorrupsion nga ana e Qeverisë së Kosovës si veprim me motive të ulëta të hakmarrës.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi për KosovaPress se në vend që të fuqizohen departamentet që merren me luftimin e korrupsionit kjo qeveri po i mbyllë ato pa asnjë arsyetim.

“Padyshim që ky veprim i kësaj qeverie është i qëllimshëm dhe me motive të ulëta të hakmarrjes sepse ju e dini që pikërisht ky departamenti apo kjo task-forcë brenda Policisë së Kosovës, ndonëse unë nuk mund të them se ka pasur kush e di se çfarë rezultate pozitive, por për aq sa ka pasur është marr me figura të larta përfshirë edhe ish-ministra dhe ish-partiakë të LDK-së dhe padyshim e kam parë si hakmarrje. Në vend që të vlerësohen të gjitha institucionet që merren me antikorrupsion pikërisht edhe ky departament, pa asnjë arsyetim, këta e mbyllën që është dashur që të fuqizohet dhe jo të shuhet. Prandaj, ne nuk kemi pasur shpresa se qeveria aktuale do mund të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha ajo.

E në një konferencë për media që e ka mbajtur sot, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se këtë vendim e ka marr pasi ka vlerësuar se vendimi i vitit 2010 për formim të Task-Forcës Antikorrupsion është i papërshtatshëm.

“Kam vlerësuar në këtë moment se ai vendim (për ngritjen e Task-Forcës Antikorrupsion) është i papërshtatshëm. Unë jam tash në krye të qeverisë dhe unë i marr vendimet mbi bazën e vendimeve bashkë me bashkëpunëtorët e mi”, theksoi ai.


Vendimi për shuarjen e Task-Forcës Antikorrupsion ka ngjallur reagime të shoqërisë civile të cilët këtë vendim e kanë konsideruar si pengimi i disa rasteve që kanë qenë duke u trajtuar nga ky njësit, e që për trajtim ka zyrtarë të partive në pushtet.

Me këtë vendim nuk u pajtua as ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i cili kërkoi që të bëhet një planifikim më i mirë në bazë të rishikimit funksional dhe të mos dëmtohen disa raste të profilit të lartë që janë pjesë e Task-Forcës.

Ky njësit vitin e kaluar kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Task-Forca Antikorrupsion ishte marrë me hetimet në rastin “Pronto”, që ka përfunduar me aktakuzë ndaj ish -kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa nga PDK, rastin penal që ka përfunduar me aktakuzë kundër ish-kryetarit të Klinës Sokol Bashota, rastin e njohur si “KEK”-u ku i akuzuar ishte Sami Lushtaku i PDK-së.

Punën e kësaj Task-Force e ka lavdëruar vetëm disa orë para shuarjes EULEX-i, që ka publikuar një raport dhe ka kërkuar fuqizim të saj. Edhe raporti i BE-së për vitin 2020 kishte vlerësim pozitiv për këtë Task-Forcë.

Departamenti Special Antikorrupsion (DSAK) apo e ashtuquajtur “Task Forca Antikorrupsion” ka qenë pjesë Policisë së Kosovës e cila ka vepruar si njësi e specializuar në kuadër të Departamentit të Hetimeve dhe është mbikëqyrur nga Prokuroria Speciale e Kosovës. ajo është themeluar me 26 shkurt të vitit 2010 e përbërë nga 30 hetues policorë./B.Ibishi/

Lexo edhe

Video

error: