Me rastin e 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sektori i historisë në Muzeun Kombëtar të Kosovës hapi ekspozitën “Kontributi i shtetit amë Shqipërisë për çlirimin e Kosovës 1998-1999” të bashkautorëve Sadik Krasniqi e Besnik Rraci. Në këtë ekspozitë u prezantuan dëshmi, fotografi, relikte dhe veshje që dëshmojnë për kontributin e shtetit shqiptar në çlirimin e Kosovës.
Autori i kësaj ekspozite, Sadik Krasniqi tha se kontributi i shtetit shqiptar është shumëdimensional, përfshirë kontributin politik dhe diplomatik të Shqipërisë për ta ngritur çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, pastaj kontributin ushtarak ne përgatitjen e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare si dhe në mirëpritjen e shqiptarëve të Kosovës që u dëbuan gjatë viteve ’98-’99.
Një kujtim i veçantë në këtë ekspozitë iu kushtua 50 djemve dhe vajzave nga Shqipëria që ranë dëshmorë në luftën e fundit të Kosovës, të cilët humbën jetën në vijën e parë të frontit ose duke transportuar armë.
Një prej këtyre dëshmorëve ishte edhe Dinë Koleci i rënë në pritë nga forca serbe në qershor të vitit 1998. I lindur e rritur në Kishaj të Hasit, Koleci e njihte mirë terrenin për kalim të sigurt të kufirit që e ndante Kosovën nga Shqipëria. Prandaj ai përcolli dhe shoqëroi disa herë togjet e luftëtarëve të lirisë për në Kosovë deri në rënien e tij.
Vëllai i Dinit, Avni Koleci tha se Shqipëria ka dhënë kontribut të çmuar për çlirimin e Kosovës. Ai apeloi që materialet, si kujtim i vetëm nga dëshmorët e luftës, të ruhen dhe të shtohen.
Profesori i historisë Arben Arifi deklaroi se shqiptarët e Kosovës e kanë pasur Shqipërinë ideal dhe shpresë. Sipas tij, nëse nuk do të eksitonte një shpresë e tillë për shqiptarët e Kosovës atëherë realiteti sot mund të ishte krejt tjetër.
Ekspozita “Kontributi i shtetit amë Shqipërisë për çlirimin e Kosovës 1998-1999” do të qëndrojë e hapur për vizitorë për dy javë në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.