​Shqipëria rrit pagat e policëve, zjarrfikësve, administratës publike, pensionet e ndihmat sociale

Qeveria e Shqipërisë mori vendim që të rrisë pagat për policët, zjarrfikësit, punonjësit e Gardës së Republikës si dhe për administratën publike. Pas mbledhjes qeveritare, kryeministri Edi Rama deklaroi se këto masa janë të rëndësishme për të mbështetur ata që kanë më pak dhe në krye të detyrës në kohë të inflacionit.

“Ne sot kemi marrë vendimin që Policia e Shtetit, nivelet bazë, pra gjithë punonjësit e Policisë në nivel inspektorësh si dhe niveli i mesëm të kenë një shtesë page. Shtesa më e lartë është për nivelin bazë, shtesa në vijim është për nivelin e mesëm, respektivisht 15% dhe 7%. Po ashtu, e njëjta gjë vlen për Gardën e Republikës, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen dhe për Policinë e Burgjeve, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen për zjarrfikësit, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen për administratën publike dhe jo vetëm për nëpunësit në shërbimin civil, por edhe për gjithë punonjësit mbështetës dhe të gjitha këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë”, deklaroi Rama.

Kryeministri shqiptar tha se do të dyfishojnë ndihmën për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç që janë në kategorinë e ndihmës ekonomike.

Rritje paralajmëroi edhe për familjet në asistencë sociale dhe më shumë në ato ku gratë janë kryefamiljare.

“E njëjta gjë do të ndodhë me pensionet të cilat janë, siç e kemi thënë, ri indeksuar dhe kemi një rritje prej 9.5% në raport me pensionin e një viti më parë dhe kjo gjë do të materializohet në pensionet që do të merren të radhës, menjëherë. E njëjta gjë me të gjithë familjet në ndihmë ekonomike të cilat kanë një rritje me 10 %, por ku gratë kryefamiljare me dy fëmijë kanë dyfishim të ndihmës ekonomike, gjë që pason gratë kryefamiljare me tre fëmije të cilave ua kemi dyfishuar ndihmën ekonomike”, vijoi Rama.


Rama u shpreh se kjo paketë ndihmash është për të mbrojtur sa më shumë qytetarët nga inflacioni. Ai u shpreh se inflacionin nuk e ka sjellë qeveria dhe nuk e zhduk dot qeveria.

Rama e cilësoi inflacionin si krizën e tretë që prek shqiptarët nën qeverisjen e tij, pas tërmetit dhe pandemisë COVID-19.

Duke u ndalur te çështja e energjisë elektrike tha se do të bëjnë çmos që të mbajnë të paprekur çmimin e energjisë elektrike për familjarët dhe për biznesin e vogël duke pagaur diferencën për ata që kursejnë.

Kryeministri deklaroi se nuk duan që të kenë reduktime të energjisë dhe as të preket çmimit, sikurse në vendet e rajonit.

“Ne duam as të mos preket çmimi e as të mos ketë kufizime. Besoj që deri tani ia kemi dalë. Dimri është sfidë e madhe, por hap pas hapi do të shikojmë si do të veprojmë duke i qëndruar deri në fund me këmbëngulje këtij parimi dhe kësaj politike, që të mos prekim çmimin e energjisë për familjarët dhe për biznesin”, tha Rama.

Rama bëri thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike pasi nuk është vetëm në pyetje çmimi porse a do të ketë energji të mjaftueshme.

Lexo edhe

Video