​Shqipëri, protestë për vdekjen tragjike të 7-vjeçares në plazhin e Potamit

​Shqipëri, protestë për vdekjen tragjike të 7-vjeçares në plazhin e Potamit

Qytetarë të shumtë janë mbledhur para godinës së Ministrisë së Brendshme në Shqipëri, për të protestuar për ngjarjen e rëndë të ndodhur dy ditë më parë në plazhin e Potamit në Himarë, ku një 7-vjeçare u përplas për vdekje nga një skaf.

Vogëlushja 7-vjeçare, Jonada Avdia, u aksidentua dhe humbi jetën nga një skaf që drejtohej nga polici Arjan Tase.

Protesta po mbahet para Ministrisë së Brendshme, ndërsa kërkohet dorëheqja e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, raportojnë mediat në Shqipëri.

Protestës i janë bashkuar edhe deputetët Lefter Geshtenja,  Flamur Hoxha, Luçiano Boci dhe Luan Baçi.

Qytetarët janë shprehur të revoltuar në lidhje me këtë ngjarje, teksa disa kanë marrë edhe fëmijët për të protestuar, pasi sipas tyre, kjo protestë bëhet për ta.


Ata janë konfrontuar fizikisht me punonjësit e policisë të cilët kishin krijuar një kordon para sheshit të ministrisë.

“Drejtesi për Jonadën” dhe “Dorëheqja është drejtësi”, janë disa nga thirrjet e qytetarëve gjatë kësaj proteste.

Tubimi është njoftuar në rrjetet sociale, ndërkohë që dhe politikanë të opozitës kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në këtë aktivitet.

Më 2 gusht, shtetasi Arjan Tase përplasi për vdekje një 7-vjeçare, teksa kryente manovra të rrezikshme me skaf.

Tase, ishte efektiv policie dhe u përjashtua nga radhët e policisë nga Drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano.

Ditën e sotme, Prokuroria e Vlorës ka rrëzuar të gjithë hetimin e bërë nga Agjencia për Mbikëqyrjen Policore për Arjan Tasen, për të cilin ngriti akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Lexo edhe

Video