​Shënohet dyvjetori i themelimit të UTK-së, paralajmërohen bashkëpunime të reja ndërkombëtare

Është shënuar sonte dyvjetori i themelimit të Unionit të Turizmit të Kosovës (UTK), me ç’rast u tha se i njëjti po zgjerohet vazhdimisht. Në ceremoninë e këtij përvjetori u paralajmërua edhe marrëveshja ndërkombëtare me Universitetin e Turizmit të Kanadasë, përmes së cilës pritet të fillojnë edhe trajnimet profesionale në këtë sektor.

Kryetari i Unionit të Turizmit, Baki Hoti tha se viti i parë ishte me plot sfida, porse kanë arritur që pavarësisht kësaj, kanë arritur që të realizojnë dhjetëra marrëveshje, shumë nisma e aktivitete të ndryshme.

Para të pranishmëve, ai prezantoi të arriturat e unionit për dy vite rrugëtim, derisa shpalosi edhe planet për të ardhmen.

“Unioni vetëm po shkon duke u rritur. Unioni i turizimit të Kosovës ka  27 marrëveshje bashkëpunimi. Jemi të vetmit që kemi marrëveshje me Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, ku jemi partner me Ministrinë e Kulturës, me komunat por edhe me akterë të tjerë, të cilët janë edhe organizatat dhe shumë akterë të tjerë të cilët kanë kontribuuar dhe mes këtyre ne po mundohemi ta zhvillojmë turizmin. Pjesa e aktiviteteve, vetëm në vitin e fundit ne kemi realizuar pesë projekte shumë të rëndësishme për Kosovën. Kemi marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizimit në Izmir të Turqisë. Kemi organizuar pjesën e Kosovës në panairin ndërkombëtar në Emir të Stambollit, që është panairi i tretë në Evropë. Po ashtu, kemi arritur që më në fund Kosova ta ketë një panair ndërkombëtar të turizimit”, tha ai.

Hoti theksoi se  Unioni është tashmë edhe pjesë e hartimit të strategjisë së turizimit, hartimit të Ligjit të turizimit, pjesë e kategorizimit dhe klasifikimit të hoteleve, po ashtu edhe partner me Komunën e Prishtinës për hapjen dhe menaxhimin e Zyrës Informative te Turizmit.

Ai bëri të ditur se Marrëveshja e bashkëpunimit me Universitetin e Turizimit nga Kanadaja është ndër objektivat kryesore përgjatë periudhës 2022-2023.

“Jemi të përkushtuar që të bëjmë edhe organizimin e Ditës Botërore të Turizimit  siç e kemi bërë çdo vit. Një rendësi të veçantë duke pasur parasysh mungesën e kuadrove profesionale sidomos në sektorin e hotelerisë dua të ju informoj se rreth datës 23-25 të këtij muaji do të shkojmë me marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Turizmit nga Kanadaja ku përmes Unionit të Turizmit dhe do të fillojnë trajnimet profesionale për sektorin e turizmit”, theksoi ai.

Të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti zëvendësambasadorja e Malit të Zi në Kosovë, Fedisa Daciq, derisa vlerësoi bashkëpunimin mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ajo theksoi se bashkëpunimi në turizëm është shumë i rëndësishëm dhe se, sipas saj, duhet që të gjithë të japin kontributin për avancim të këtij sektori.


Udhëheqësja e depertamentit të turizmit në MINT, Lumturie Geci tha se UTK po i përmbush dy vite plot sukses.

“Në emër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ne dëshirojmë të përgëzojmë për të gjitha sukseset përgjatë këtyre dy viteve që po i përmbushni me sukses”, tha ajo.

Nina Sherifofska nga Shkupi tha se vetëm duke punuar së bashku mund të avancohet turizmi.

“Neve veç së bashku mund te bëjmë gjëra të mira dhe të bukura. Shpresoj se të gjithë nëse punojmë së bashku për turizmin, avancimin e turizmit mund të bëjmë shumë gjëra”, tha ajo.

Ekrem Hyseni, përfaqësues i organizatës GIZ, tha se janë aktiv sa i përket sektorit të turizmit.

“Edhe ne si GIZ jemi aktiv në këtë sektor që në vitin 2007 me një ndërprerje të vogël dhe i gëzojmë përparimet që ka bërë Kosova dhe po bënë vazhdimisht në sektorin e turizmit. Përveç në Kosovë ne jemi edhe në Mal te Zi, Maqedoni dhe punojmë bashkë”, tha ai.

Në fund Unioni i Turizmit ka ndarë mirënjohje për Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, Bodrumin e vjetër në Rahovec, dhe Hotel Astoria-n, ku edhe u mbajt eventi i sotëm.

Ndryshe ky union është themeluar në vitin 2020, nga përfaqësues të subjekteve turistike, ato të hotelerisë, turo–operatorëve, të agjencive turistike etj.

UTK ka disa aktivitete promovuese jashtë shtetit si: Certifikimin e mbi 50 bizneseve me Vulen Safe Travel, 27 marrëveshje bashkëpunimi me institucione qendrore dhe lokale, 11 marrëveshje ndërkombëtare, krijimin dhe lansimin e aplikacionit të vetëm të turizmit Think Kosova, mbi 200 takime me komunitetin dhe akterët e turizmit si dhe organizimin e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit Kosova 2022.

Lexo edhe

Video