​Shefi i “Pfizer” vizitë në Shqipëri, Rama: Na hapi dyert në momentin më të vështirë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mirëpriti sot në Tiranë drejtorin ekzekutiv të kompanisë Pfizer, Albert Bourla, i cili qëndroi në Shqipëri për të parë nga afër kushtet e ruajtjes së vaksinave dhe për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me vaksina Pfizer, në përmbushje të planit të vaksinimit anti-COVID.

Pas vizitës në mjediset e QSUT-së, me praninë edhe të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kryeministri Rama dhe drejtori ekzekutiv i Pfizer-it vizituan Qendrën e Vaksinimit Air Albania, në Tiranë, ku aktualisht vijon procesi i vaksinimit.

Rama u shpreh se Bourla tashmë është një mik i Shqipërisë pasi i hapi derën dhe premtoi të gjente një zgjidhje për vaksinat për Shqipërinë.


“Na hapi derën në momentin më të vështirë, kur ne shkuam në Nju Jork për të trokitur në derën e Pfizer-it në kushtet kur nuk kishim asnjë perspektive të qartë, pasi të gjithë vendet e rajonit nuk u përfshinë në skemën e parë të shpërndarjes së vaksinave. Folëm gjatë në Nju Jork dhe edhe pse nuk na premtoi aty për aty se çështja do të zgjidhej, na dha fjalën që do të bënte gjithçka për ta zgjidhur dhe falë angazhimit të zotit Bourla, ne mundëm të marrim vaksinat më parë sesa të tjerët”, deklaroi Rama.

Drejtori ekzekutiv i Pfizer-it, Albert Bourla u shpreh se ishte befasuar nga Rama vitin e kaluar kur i kishte kërkuar që të takoheshin në Nju Jork për të diskutuar rreth furnizimit me vaksina.

“Ishte shumë i qartë, jo vetëm meraku për vendin e tij, por edhe se kishte një plan sesi mund t’i kryente vaksinimet. Kjo për mua ishte tejet e rëndësishme, sepse kuptova që vaksinat që mund të shkonin në Shqipëri do të përdoreshin për qytetarët dhe isha shumë i lumtur, që, më në fund, qemë në gjendje të ndihmonim Shqipërinë. Kam mbetur shumë i befasuar nga udhëheqja e kryeministrit. Që prej takimit të parë, jemi parë sërish. Po ashtu dua t’ju them se ndihem si miku juaj dhe është nder i madh për mua. Sigurisht nuk do ta harroj dhuratën që më bëtë, një pikturë krijuar nga ju vetë, që e mbaj në zyrën time, në Nju Jork”, deklaroi Bourla.

Përpos Pfizer, Shqipëria kishte pranuar donacione edhe vaksina të tjera. 

Lexo edhe

Video