​ShBA: Rusia përgatit mbajtjen e referendumeve në Ukrainë

​ShBA: Rusia përgatit mbajtjen e referendumeve në Ukrainë

Moska ka filluar planifikimin konkret të referendumeve në disa qytete të pjesëve të pushtuara në lindje të Ukrainës, në përpjekje për afrimin e tyre me Rusinë, deklaruan sot zyrtarë të lartë të Uashingtonit.

Një zyrtar i lartë i Këshillit të Sigurisë Kombëtare nënvizoi se Rusia po përgatitet për mbajtjen e këtyre referendumeve në Kherson, Zaporizhzhya, në rajonet separatiste të Luhanskut dhe Donetskut, si dhe në pjesë të caktuara të  Kharkivit.

“Udhëheqësja ruse ka udhëzuar zyrtarët që të nisin përgatitjet për mbajtjen e këtyre referendumeve”,  tha ai, përcjell tch.

“Ndërsa Rusia përgatitet për referendumet, jemi informuar që zyrtarët po verifikojnë kandidaturat që do të shërbejnë si administratorë të këtyre territoreve dhe se këto veprime mund të kryhen ndoshta brenda javëve të ardhshme,” shtoi ai.


Zyrtari theksoi gjithashtu që Uashingtoni beson që Rusia do t’i manipulojë rezultatet e këtyre referendumeve, me qëllim që të pretendojë se populli ukrainas dëshiron t’i bashkohet Rusisë.

Ai tha se është tepër e rëndësishme që të zbulohet dhe kundërshtohet ky disinformacion, nëse Kremlini pretendon që ukrainasit kërkojnë t’i bashkohen Rusisë.

Burime të shërbimeve sekrete amerikane sugjerojnë që edhe vetë zyrtarët rusë presin që pjesëmarrja të jetë shumë e ulët dhe se referendumet nuk do të reflektojnë vullnetin e popullit ukrainas.

Liderët pro-rusë të rajoneve separatiste të Luhanskut dhe Donjetskut kanë përjashtuar mundësinë e zhvillimit të referendumeve para se ushtria ruse të marrë plotësisht nën kontroll Donjetskun.

Forcat ruse aktualisht kontrollojnë thuajse vetëm gjysmën e kësaj zone.

Lexo edhe

Video