​Sfidat ndaj Suedisë e Gjeorgjisë, optimizëm që “dardanët” të marrin 4 pikë

Paraqitjet e mira ndaj Greqisë dhe Spanjës kanë bërë që të rriten pritshmëritë ndaj Kombëtares së Kosovës për dy ndeshjet e radhës ndaj Suedisë dhe Gjeorgjisë në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”

Trajnerë dhe analistë vendorë shprehen të bindur se Kosova do të futet në këto dy ndeshje për të marrë rezultat pozitiv, ndërsa ish-kapiteni i Kosovës, Anel Rashkaj pret një Kosovë shumë më ndryshe nga ajo e sfidës së parë ndaj Suedisë në Prishtinë.

Trajneri dhe analisti Arsim Plepolli tha për KosovaPress se duke pasur parasysh faktin se trajneri Bernard Challandes i ka të gjithë lojtarët në dispozicion, Kosova duhet të hyjë me optimizëm në ndeshjen kundër Suedisë, ndërsa ndaj Gjeorgjisë, ai shton se duhet të synohen tri pikë të plota.

“Gjithmonë ne duhet të jemi optimistë, është fat i mirë që të gjithë lojtarët i kemi në dispozicion. Nëse jemi kompakt dhe japim maksimumin, unë mendoj që gjasat i kemi bukur të mira. Nuk do të thotë që të shkojmë në Suedi dhe të dorëzohemi kur e dimë kualitetin e Suedisë që janë shumë të mirë, por duhet të shkojmë, ta zhvillojmë një lojë sa më të mirë, një lojë sa më të angazhuar dhe të paktën të dalim me një pikë. Ndërsa sa i përket Gjeorgjisë, edhe pse nuk duhet ta marrim si një kombëtare e lehtë, ose një kombëtare që ne jemi shumë më të mirë se ata, besoj se me Gjeorgjinë këtu duhet të mendojmë vetëm për tri pikë”, ka thënë Plepolli.

Plepolli gjithashtu thotë se lojtarët nuk duhet assesi të ndikohen nga renditja jo e mirë në grup dhe të japin maksimumin në këto ndeshje sepse duhet të përmirësohet edhe renditja e përgjithshme në ranglistën e UEFA-së.


“Ne e kemi ditur edhe në start që grupin e kemi shumë të fortë, duhet të jemi realist. Por unë mendoj se këta janë profesionalistë, pa marr parasysh se a kualifikohesh apo jo, çdo lojë duhet të hyhet për fitore. Nuk do të thotë tani të dorëzohemi se këto janë kualifikime dhe kjo shkon me renditje, duhet ta përmirësojmë edhe renditjen në UEFA, kështu që mendoj që në çdo lojë duhet të shkohet për fitore pa marr parasysh a kualifikohemi apo jo.”, ka theksuar Plepolli.

Por, trajneri Arbnor Morina thotë që pritjet për ndeshjen ndaj Suedisë nuk duhet të jenë të mëdha për shkak të cilësive që ata kanë në skuadër. Për KosovaPress, ai thotë se suedezët kanë një skuadër shumë të fortë dhe se një barazim ndaj tyre do të ishte i mirëseardhur, derisa shton se “Dardanët” duhet t’i synojnë tri pikë në ndeshjen kundër Gjeorgjisë.

“Dy ndeshje mjaftë të vështira, ne duhet të jemi real sepse po kemi futbollistë të cilët kanë probleme nëpër klube për shkak të lëndimeve ose për shkak të formës jo konstante, mirëpo unë prapë besoj që këta djem, si çdo herë deri më tani, edhe këtë herë do të ngazëllojnë me një lojë me angazhim të mirë dhe me një rezultat pozitiv. Nuk kam pritshmëri të mëdha me suedezët për arsye se janë ekip shumë i fortë… mirëpo me Gjeorgjinë kemi treguar që ne mund të jemi më superior se ata. Me suedezët do të isha i kënaqur po të nxjerrim një barazim, ndërsa për fitore do të isha super i kënaqur… Sa i përket lojës së dytë… mendoj që djemtë tanë duhet ta shfrytëzojnë rastin për t’i fituar tri pikë në atë takim”, ka thënë Morina.

Paraqitja e Kosovës kundër Suedisë do të ndiqet nga afër edhe nga ish-kapiteni Anel Rashkaj i cili në një prononcim për KosovaPress thotë se është i bindur se “Dardanët” ndaj Suedisë do të bëjnë një ndeshje shumë më të mirë se e para në Prishtinë, ndërsa pret fitore në sfidën tjetër, atë kundër Gjeorgjisë.

“Së pari ndeshja me Suedinë do të jetë një ndeshje shumë e vështirë duke marrë parasysh kualitetet e kombëtares suedeze dhe pastaj duke marrë parasysh ndeshjen e parë në Prishtinë ku Suedia tregoi me të vërtetë një lojë shumë të mirë. Mendoj se dallimi nga ajo ndeshje është se Kosova ka bërë tri ndeshje të mira në shtator dhe është duke hyrë me një vetëbesim shumë më të madh në këtë ndeshje… Disa lojtarë të rinj që kanë hyrë tani në ekip me të vërtetë kanë treguar lojëra shumë të mira dhe mendoj që optimizmi është shumë më i madh për këtë ndeshje…. Pastaj sa i përket ndeshjes së dytë me Gjeorgjinë mendoj që Kosova, ekipi ynë, është favorit ndaj Gjeorgjisë dhe aty presim tri pikë sepse treguam edhe jashtë, fituam 1-0 dhe është një ndeshje që duhet ta fitojmë në shtëpi”, ka thënë Rashkaj.

Ish-kapiteni i Kosovës ka bërë të ditur se ai do të jetë i pranishëm në stadium për ta parë ndeshjen dhe se aty pritet të jetë i pranishëm edhe një numër i madh i tifozëve shqiptarë.

Lexo edhe

Video