​Sezoni turistik në Shqipëri, dyfishohen të ardhurat dhe rritet numri i turistëve të huaj

Shqipëria ka pasur një sezon veror suprizues. Kështu vlerësoi kryeministri Edi Rama që tha se sezoni solli dyfishim të të ardhurave nga turizmi në ekonomi, si dhe rritje të numrit të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë, krahasuar me një vit më parë. Ai u shpreh se vetëm në gjashtëmujorin e parë kanë qenë mbi 1 miliard lekë të ardhura në ekonomi, nga turizmi, ndërsa flukset vizitorëve të huaj, deri në gusht, kanë qenë mbi 5 milionë e 600 mijë turistë, ose 1,3 milionë më shumë sesa vitin e kaluar.

Në Ditën Botërore të Turizmit dhe në përmbyllje të sezonit turistik veror 2022, u organizua në një prej strukturave të reja hoteliere në Durrës, një takim i zgjeruar me drejtues të pushtetit lokal, përfaqësues të sektorit privat të përshirë në turizëm, drejtues të strukturave të policisë së shtetit, etj, për një bilanc të përgjithshëm të sezonit veror turistik që u mbyll dhe parashikimet për sezonin e ardhshëm 2023, me fokus përmirësimin e standardeve të industrisë së turizmit, për zhvillimin e qëndrueshëm gjithëvjetor.

“Pa diskutim që ne kemi pasur një sezon surprizues në aspektin e shifrave edhe për ne vetë që ishim të përgatitur për të pasur një sezon më të mirë sesa ai i shkuari, apo sesa gjithë sezonet e tjerë, por realisht sezoni ka qenë surprizues për sa i përket flukseve të të ardhurave për ekonominë. Vetëm në 6 mujorin e parë ne kemi kaluar 1 miliard të ardhura në ekonomi nga turizmi, pra pothuajse dyfishin e vitit të mëparshëm. Flukset e vizitorëve të huaj, deri në gusht kemi qenë në 5.6, 5 milionë e 600 e disa mijë turistë që është e barabartë me faktikisht 1.3 milionë më shumë sesa vitin e kaluar”, deklaroi Rama.

Rama deklaroi se tashmë turizmi në prodhimin e përgjithshëm kombëtar kontribuon me 17% ndryshe nga vitet e mëparshme kur ka qenë vetëm 4%.

“Kur ne kemi nisur punën për ta transformuar Shqipërinë në një vend turistik, turizmi ishte rreth 4% kontribut në ekonominë e vendit… Sot pjesëmarrja e këtij sektori në volumin e përgjithshëm në ekonominë e vendit, në prodhimin e përgjithshëm kombëtar është 17%. Pra, nga 4% në 17%, për të gjithë ata që për një 1001 arsye refuzojnë ta njohin progresin dhe e kanë kujtesën të shkurtër faktikisht. E kanë kujtesën shumë të shkurtër”, vijoi Rama.

Mirëpo, Rama tha se Shqipëria duhet që të jetë turistike gjatë gjithë vitit dhe për këtë paralajmëroi një konceptim të ri të vijës bregdetare për periudhën e dimrit.


“Nëse duam që zinxhiri ekonomik të fuqizohet dhe më shumë dhe që turizmi të hyjë edhe më shumë në rolin e promotorit të zhvillimit ekonomik dhe social, ne duhet të heqim nga fjalori fjalën sezon turistik, kjo duhet të jetë ambicia e Shqipërisë 2030 që në mënyrë të vijueshme avionët dhe rrugët të kenë flukse turistësh, natyrisht me pak më shumë e pak më pak, por në mënyrë të vijueshme. Kjo do të kërkojë dhe një konceptim të ri të vijës bregdetare për periudhën e dimrit sepse e dinë shumë mirë të gjithë sipërmarrësit se e para, kanë nevojë për punonjës, nuk njoh akoma një sipërmarrës as në hoteleri, se në tjerat jo e jo, që të më thotë që nuk kam nevojë për asnjë punonjës”, tha Rama.

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, deklaroi se numri i turistëve të huaj është rritur me 29%. Ajo tha se tashmë turistët nga Kosova nuk llogariten në shifra zyrtare pasi nuk regjistrohen në kufi por u shpreh se bazuar nga të dhënat e mëparshme kosovarët kalojnë shifrën e 2 milionë turistëve.

“5 milionë e 667 mijë e 121 vizitorë të huaj kemi shënuar këtë vit deri më 30 gusht ku nuk përfshihen mysafirët që vijnë përmes pikës kufitare të Morinit, por nëse i referohemi shifrave të kaluara ata e kanë kaluar mbi 2 milionë vizitorë vitet e tjera që nuk i llogarisim. Ose mund të themi që kemi pasur 29% vizitorë të huaj sesa viti i kaluar… turistët nga Anglia janë dy herë më shumë, nga Holanda 3.8 herë më shumë, nga Franca dy herë më shumë vizitorë, nga Gjermania 60% më shumë vizitorë sesa viti i kaluar, apo nga Spanja që shënoi një bom me 4 herë më shumë se vitin e kaluar”, u shpreh Kumbaro.

Ndërsa, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, deklaroi se bashkia e saj ka pritur këtë vit mbi 1 milion turistë por u shpreh se rezervime në hotele ka deri më 15 tetor. Ajo vuri theksin se ka rritje të numrit të turistëve nga vendet evropiane.

“Durrësi është ende në vijimin e sezonit turistik, pasi shumë struktura të hotelerisë që janë në vijën e parë të bregdetit, kanë 100% pronotime deri në datën 15 tetor. Durrësi është një destinacion tërheqës për turistët nga të gjitha vendet, jo vetëm nga rajoni, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, por po vjen në rritje nga viti në vit numri i vizitorëve nga Italia, Greqia dhe këtë vit ka pasur turistë edhe nga Zvicra, Austria dhe nga SHBA. Sipas të dhënave të papërfunduar se jemi ende ne sezon, por Durrësi ka kaluar këtë vit ka kaluar mbi 1 milion turistë që kanë zgjedhur një afat qëndrimi 5-7 ditë për qëndrimin e tyre familjar”, tha Sako.

Në këtë takim u tha se shteti është kujdesur më shumë se çdoherë për mirëmbajtjen e plazheve si dhe për kontrollet nëpër hotele dhe restorante për të ruajtur standardet më të mira të turizmit. 

Lexo edhe

Video