​Serbia vazhdon marshet në mbështetje të Rusisë, përmendet edhe Kosova

​Serbia vazhdon marshet në mbështetje të Rusisë, përmendet edhe Kosova

Masakrat dhe vrasjet ndaj civilëve që po ndodhin në Ukrainë, si dhe rreshtimi i Perëndimit kundër Rusisë, nuk po i pengon serbët që të mbushin sheshet e Beogradit për të mbështetur Vladimir Putinin.

Mijëra njerëz që mbanin flamuj rusë e serbë dhe mbanin fotografi të presidentit rus Vladimir Putin marshuan nëpër Beograd të premten për të protestuar ndaj mbështetjes së Serbisë për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Demonstrata, e organizuar nga grupi i ekstremit të djathtë anti-imigrues, Patrulla Popullore, u mblodh në monumentin e Carit rus Nikolai II në qendër të Beogradit dhe prej andej shkoi në ambasadën ruse duke brohoritur, “Serbët dhe rusët — vëllezër përgjithmonë, “Jo NATO” dhe “Krimeja është Rusia, Kosova është Serbi”.

Ata ndezën pishtarë dhe hodhën bomba tymuese para godinës së presidencës serbe, duke brohoritur parulla kundër presidentit Aleksandër Vuçiq. Policia nuk ndërhyri, raportoi Radio Evropa e Lirë.

Protesta u mbështet edhe nga lëvizja e djathtë Dveri, e cila po hyn në Kuvendin e Serbisë me 10 mandate të fituara në zgjedhjet e 3 prillit.


Organizatorët e protestës kërkuan që qeveria në Beograd “të ndalojë menjëherë të gjitha procedurat kundër Rusisë në organizatat ndërkombëtare”.

Serbia ka votuar kundër Rusisë tri herë në favor të rezolutave të OKB-së që dënojnë pushtimin e saj në Ukrainë, megjithatë ndihma dhe mbështetja që i ka dhënë është më e madhe. Serbia mbetet vendi i vetëm që nuk ka vënë sanksione ndaj Rusisë si dhe i ka lënë të lirë hapësirën ajrore.

Disa njohës mendojnë se votat “kundër” të Serbisë në OKB nuk janë asgjë në krahasim me qëndrimet e tjera dhe madje mendojnë se mund të jenë edhe të konsultuara paraprakisht me Moskën zyrtare.

Edhe pse është vend kandidat, Serbia nuk ka harmonizuar vendimet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, siç ka bërë Shqipëria ose Maqedonia e Veriut. Kjo ka bërë që Serbia të mos shihet si vend neutral në agresionin rus të Ukrainës por të anojë nga Rusia.

Protesta e 15 prillit ishte e fundit e mbajtur në Beograd në mbështetje të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Një demonstrim i 13 marsit, i organizuar gjithashtu nga Patrulla e Popullit, shfaqi disa dhjetëra automjete të shënuara me një Z — simbol i Ushtrisë Ruse në Ukrainë — dhe flamuj serbë dhe rusë që lundronin në rrugët e qytetit.

Protestat në mbështetje të Rusisë u organizuan edhe më 4 dhe 24 mars në qendër të Beogradit. Ata tërhoqën mijëra pjesëmarrës, të cilët brohoritën parulla në mbështetje për Rusinë ndërsa ecnin drejt Ambasadës Ruse.

Lexo edhe

Video