​“Së bashku për lajmet e vërteta”, agjencitë e lajmeve mblidhen në Burgas të Bullgarisë

​“Së bashku për lajmet e vërteta”, agjencitë e lajmeve mblidhen në Burgas të Bullgarisë

Ka hapur punimet Asambleja e 30-të e Përgjithshme e Asociacionit të Agjencive Ballkanike të Lajmeve dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE) e organizuar nga Agjencia Bullgare e Lajmeve (BTA) e që po mbahet në qytetin e Bugrasit të Bullgarisë. Tema e këtij viti është “Së bashku për lajmet e vërteta”.

Në ceremoninë hapëse të Asamblesë, mori pjesë zëvendëskryeministri bullgar Atanas Pekanov, ministri bullgar i Turizmit, Ilin Dimitrov dhe kryetari i komunës së Burgasit, Dimitar Nikolov.

ABNA-SE, qëllimi i të cilës është të mundësojë ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet agjencive të lajmeve nga rajoni, si dhe të kontribuojë në krijimin e një klime paqeje, miqësie dhe bashkëpunimi në Ballkan, do të ketë edhe një status juridik pasi do të regjistrohet në Bullgari.

Në fjalën e tij hapëse, drejtori ekzekutiv i BTA, Kiril Valchev, theksoi rëndësinë e regjistrimit të ABNA-SE dhe punën në vijim të këtij Asociacioni. Ndërsa diskutoi për rëndësinë e lajmeve të vërteta dhe punën e madhe që bëjnë agjencitë e lajmeve në Ballkan dhe të gjithë Evropën.

“Ne tashmë kemi marrëveshje bashkëpunimi dhe shkëmbejmë lajme çdo ditë me tetë nga 12 agjencitë e lajmeve pjesë e ABNA-SE. Dhe të njëjtën bashkëpunim jemi të interesuar ta zgjerojmë edhe me agjencitë e tjera të lajmeve dhe kjo është vërtetë shumë e rëndësishme të përcjellim lajme të konfirmuara tek njëri-tjetri”, tha ai.

Ndërsa në fjalën e tij, presidenti aktual i ABNA-SE, Skënder Krasniqi, tha se që nga krijimi i ABNA-SE janë organizuar më qindra takime dhe në të gjitha këto është theksuar nevoja e regjistrimit të Asociacionit, duke ndjekur shembullin e Asociacionit të Agjencisë së Lajmeve Evropiane (EANA).


“Kanë kaluar gati 30 vjet që kur ABNA është themeluar si organizatë dhe deri më tani ka organizuar qindra takime që kanë bërë kontribuar shumë. Në të gjitha këto takime është diskutuar edhe për nevojën për t’u regjistruar si organizatë dhe për të pasur dokumente zyrtare, ashtu si organizatat e tjera. Dhe kjo ditë ka ardhur falë vullnetit dhe dëshirës së Kirillit (Valchev) dhe me mbështetjen tonë, më në fund ABNA po zyrtarizohet edhe me dokumente”, deklaroi Krasniqi, që kujtoi edhe takimin e vitit të kaluar gjatë Asamblesë së 29-të që u mbajt në Prishtinë.

Përmes një letre, Asamblenë e 30-të e përshendeti edhe presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev, që vlerësoi bashkëpunimin e agjencive ballkanike dhe për të sjellë lajme të vërteta për publikun.

“Asambleja e 30-të e Përgjithshme është e rëndësishme edhe për mundësinë që gazetarët nga 12 shtetet e Ballkanit të shkëmbejnë përvojat dhe informacionet në mënyrë direkte, i cili është edhe qëllimi kryesor i Balkan Neës Room, si hapësirë e e përbashkët për lajmet nga vendet e Evropës Juglindore. Kjo iniciativë është shumë e rëndësishme, sepse pavarësisht se sa afër jemi, ne duhet të arrijmë të bashkëpunojmë pa ndonjë ndërmjetësim të jashtëm”, tha Radev.

Zëvendëskryeministri bullgar Atanas Pekanov, në fjalën e tij, tha se agjencitë e lajmeve janë duke bërë atë që politika nuk po arrin ta bëjë ndonjëherë në Ballkan, e që është bashkëpunim i ngushtë për hir të publikut.

“Vlerësoj këtë organizatë, ju jeni shumë të rëndësishëm për publikun tuaj që ju ndjek. Politikanët nuk janë asgjë pa ju por po bëni më shumë se ata. Ky bashkëpunim duhet të jetë shembull edhe për fushat e tjera”, tha ai.

Asambleja e 30-të vijoi punimet me dyer të mbyllura ku priten të merren një sërë vendimesh. Agjencitë ballkanike të lajmeve mblidhen në këtë format një herë në vit. Asambleja e 29-të e Përgjithshme e ABNA-SE u mbajt në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, në vitin 2021, nën organizimin e KosovaPress.

Ndryshe, KosovaPress është bërë anëtare me të drejta të plota e Asociacionit të Agjencive Ballkanike të Lajmeve dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE) në vitin 2017.

Lexo edhe

Video

Komentet janë të mbyllura.