​Rreth 50 përqind e qytetarëve mendojnë se ka diskriminim në Kosovë

​Rreth 50 përqind e qytetarëve mendojnë se ka diskriminim në Kosovë

Rreth 50 përqind e qytetarëve në Kosovë mendojnë që diskriminimi është i pranishëm në masë të madhe. Punësimi konsiderohet si një nga sferat me mbizotërimin më të madh të diskriminimit, ku 59 përqind e të anketuarve mendojnë se po u shkelën të drejtat. Ndërsa, 90 përqind në aspektin e nacionalitetit dhe gjinisë. Kështu janë përgjigjur qytetarët në kudër të studimit “Format e diskriminimit në Kosovë” nga Zyra për Qeverisje të Mirë”.

Këto të gjetura janë publikuar sot në  konferencën në kuadër të hulumtimit “Diversiteti dhe barazia në Kosovë”.

Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë ka folur për të gjeturat e studimit “Format e diskriminimit në Kosovë”. Në kuadër të këtij hulumtimi janë anketuar mbi 1600 qytetarë në 38 komuna të Kosovës. Hajredini shtoi se ky hulumtim paraqet të gjetura jo të mira, të cilat u bëjnë thirrje institucioneve që të marrin masa për parandalimin e diskriminimit.

” Ky është një perceptim i përgjithshëm në bazë të hulumtimit. Pastaj, kemi adresuar një nga pyetjet që ka të bëjë në përgjithësi në cilën fushë kemi diskriminim më tepër. Kemi 90 përqind në bazë të gjinisë, po ashtu 90 përqind në aspektin e nacionalitetit të minoriteteve, të opinionit politik 16 përqind, në bazë të moshës e kemi 14 përqind, në bazë të racës kemi 6 përqind, aftësia e kufizuar 5, religjioni 4, në bazë të gjuhës 3, orientimit seksual 2 përqind”, ka potencuar Hajredini.

Më tej, ai ka bërë të ditur se në bazë të matjes së perceptimit thuhet se 59 përqind të qytetarëve janë të diskriminuar në punësim, e mbi 14 përqind në qasje në shëndetësi.

Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi u zotua se prioritet i qeverisë Kurti është mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe zbatimi i legjislacionit kundër diskriminimit.


“Prioriteti i qeverisë tonë është mbrojtja e të drejtave të njeriut. Dialogu ndëretnik i të gjitha komuniteteve që jetojnë në shtetin tonë bazuar në të drejtën dhe jo diskriminim të bazuar në barazi gjinore, bashkëjetesën dhe jetën e të gjithave pa marrë parasysh në përkatësi, nacionalitet, gjuhën, religjionin, pa marrë parasysh dhe çfarë është ngjyra e lëkurës tuaj. Konsideroj se vlerat dhe llojllojshmëria janë vlera për shtetin e Kosovës. Duhet të respektohen ashtu që siç përcakton Kushtetuta e Kosovës. Të gjitha institucionet deri më tash kanë punuar me ligjet që kanë të bëjnë me drejtat e njeriut, ligji për Avokatin e Popullit, rregulloret e ndryshme. Sa i përket administratës dhe çështjeve teknike ne si shtet kemi përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet për një shoqëri normale. Mbetet tek ne se sa është zbatimi i ligjeve dhe çfarë është zbatimi në institucionet publike dhe private. Sa jemi ne si shoqëri të gatshëm që të përcjellim rrjedhat e demokratizimit”, ka theksuar ajo.

Mirëpo, avokati i Popullit, Naim Qelaj pati kritika, meqë sipas tij nuk ka pasur analizë të thellë të kornizës ligjore. Sipas tij, gjashtë vjet më parë është miratuar Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe deri më sot nuk ka pasur një analizë të mirëfilltë zbatimit të këtij ligji.  

“Ne duhet të hyjmë në një analizë të thellë për të parë se si ka ndikuar ky ligj në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe në respektimin e të drejtave që ata i gëzojnë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Një përgjegjësi e madhe në zbatimin e këtij ligji bie mbi institucionin që unë jam bartës, pra në institucionin e Avokatit të Popullit. Pjesa më kryesore e barrës bie mbi qeverinë, e cila në kuadër të strukturës së vet duhet të sigurojë që mekanizmat që krijohen të jenë në zbatim[…]Perceptimi i publikut nuk është në përputhje me rastet e raportuara. Në fakt me atë që kemi vërejtur në terren kemi një perceptim shumë të lartë të opinionit publik që diskriminimi ndodh në Kosovë. Por, në fakt raste të raportuara janë shumë pak. Avokati i Popullit trajton mesatarisht 1500 raste në vit, nga këto pak më shumë se gjysma konsiderohen të pranueshme. Mbi 800 pra, pjesa tjetër hedhën sepse nuk plotësojnë kriteret ligjore që të trajtohen si raste “, tha ai.

Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Luigi Brusa tha se njohja e drejtave të njeriut duhet të jetë mision i të gjithëve. Madje, ai u ka bërë apel institucioneve që të gjitha së bashku të punojnë si ekip për këtë çështje.

“Institucionet relevante duhet të punojnë të gjithë së bashku, nuk është loja e një personi apo një ministri, por është një ekip. Qëllimi dhe i një ekipi apo pune ekipore që të merret me këtë ambient kompleks dhe është me rëndësi që zëvendëskryeministrja, çështjet e drejtave të njeriut që të bashkëpunojë apo fuqizojë bashkëpunimin me Avokatin e Popullit… por po ashtu edhe me gjykatësit dhe prokurorët kur ka shkelje të ligjit. Të gjitha këto janë, ky ambient kompleks duhet të  jetë subjekt, po ashtu edhe komunat dhe kuvendet komunale duhet të përfshihen”, ka thënë ai.

Zyra për Qeverisje të Mirë në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, ka zhvilluar këtë studim mbi “Promovimin e Diversitetit dhe barazisë në Kosovë”. Raporti tregon se më shumë se gjysma e të anketuarve nuk janë në dijeni për Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Lexo edhe

Video