​Rreth 50% e personelit arsimor të vaksinuar, mësimi synohet të nisë me prani fizike

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ftoi të gjithë mësimdhënësit dhe studentët që të vaksinohen para fillimit të vitit të ri shkollor e akademik që synohet të nisë në shtator e tetor me prezencë fizike. Sipas saj, Ministria e Arsimit nuk ka të drejtë që të marrë masa ndaj mësimdhënësve që nuk duan të vaksinohen ndërsa tha se kjo mund të ndryshojë vetëm me ndonjë vendim qeveritar që përfshin edhe qytetarët e tjerë.

Në një konferencë për media, Nagavci deklaroi se në arsimin para universitar janë rreth 50% të personelit arsimor që tashmë janë vaksinuar, ndërsa u shpreh se vaksinimi mbetet arma e vetme kundër

“Si arsimtarë janë deklaruar 3458 persona që tashmë janë vaksinuar, 193 drejtorë të shkollave, edukues fizikë 108, mësimdhënës 7680, profesorë 3926, pastaj kemi referentë, punëtorë arsimi 1704 të vaksinuar, nxënës që janë 319, studentë 12395. Do të thotë se kemi rreth 50% së paku të stafit të mësimdhënësve të vaksinuar”, tha Nagavci.

E pyetur nëse Ministria e Arsimit mund të marrë masa ndaj mësimdhënësve që nuk vaksinohen, Nagavci tha se kjo nuk lejohet, por mund të ndryshojë nëse merret një vendim qeveritar që përfshinë dhe kategoritë e tjera.

“Aktualisht si ministri ne nuk mund të marrim masa, jemi këtu që të bëjmë thirrje për të gjithë mësimdhënësit për t’u vaksinuar, ndërkaq në lidhje me vendimet që do të ndermirën në nivel të qeverisë përfshirë të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe përtej kësaj do të jeni të informuar shumë shpejtë”, u shpreh ministrja e Arsimit.


Nagavci përsëriti se përgatitjet janë duke u bërë që viti i ri shkollor dhe akademik të nisë me prezencë fizike.

Ajo tha se janë duke i marrë të gjitha masat në mënyrë që të respektohen të gjitha rekomandimet e institucioneve shëndetësore për parandalimin e shpërndarjes së COVID-19.

“Si Ministri e Arsimit jemi duke marrë të gjitha masat në mënyrë që viti i ri shkollor të nisë me prezencë fizike të nxënësve në shkolla dhe në bashkëpunim me drejtoritë komunale të arsimit të sigurohemi që t’i plotësojmë të gjitha kushtet në mënyrë që të kemi kujdes për shëndetin publik në përgjithësi. Po bashkëpunojmë si në lidhje me përgatitje e infrastrukturës, që të respektohen plotësisht rekomandimet e ISHPK ashtu edhe po synojmë që t’i kemi të gjithë mësimdhënësit dhe stafin tjetër të punësuar në institucione edukativo-arsimor të vaksinuar”, vijoi Nagavci.

Ministrja e Arsimit njoftoi se tashmë disa universitete publike si Universiteti i Prishtinës dhe ai i Gjilanit kanë hapur konkursin për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2021-22, pas akreditimit të programeve.

Në lidhje me mësimin plotësues, Nagavci u shpreh se mbi 181 mijë nxënës në të gjithë vendin e kanë ndjekur këtë proces nga maji deri në korrik e që ka shërbyer për të përmirësuar rezultatet e nxënësve të cilët kanë pasur vështirësi gjatë mësimit në pandemi.

Lexo edhe

Video